
Ideja për korrigjimin e kufijve e shpalosur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç po has në kundërshtime të shumta.
I fundit ka ardhur edhe nga shefi i diplomacisë në qeverinë e kancelares gjermane, Angela Merkel.
Ministri për Evropën i Gjermanisë, Michael Roth, paralajmëroi të hënën Kosovën dhe Serbinë se ndryshimi i kufirit të tyre nuk do të zgjidhë asnjë problem dhe tha se e ardhmja e rajonit është multietnike, multifetare dhe multikulturore.
Në një mesazh në "Twitter" Roth shkruan se “korrigjimi” i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk do të zgjidhte ndonjë problem.
"Të dashur miq në Kosovë dhe Serbi, rishkrimi i kufijve nuk do të zgjidhë asnjë problem. Një veprim i tillë do të hapte Kutinë e Pandorës të armiqësive etnike. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është thjesht multietnike, multifetare dhe multikulturore. E bashkuar në diversitet, kjo është Evropa", shkruan Roth.




