
Në mbledhjen e Kryesisë së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha se vendimi i Gjykatës së Apelit, përbën për PD dhe gjithë demokratët, një moment të veçantë përgjegjësie për të rimarrë me energji të reja kursin e forcimit, rritjes dhe fitores.
Ai tha se janë të vetëdijshëm për vështirësitë, por se janë me të vendosur se kurrë për t’ia dalë me demokratët pa dallim, me zgjedhësit, me qytetarët shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë perëndimorë, me SHBA, vendet e BE-së, me Britaninë e Madhe.
Sipas tij, nga sot fokusi kryesor i gjithë veprimtarisë sonë politike janë zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Me pjesëmarrjen, me kandidatët, me garën, me synimet dhe me rezultatet tona në këto zgjedhje duhet të nderojmë historinë e Partisë Demokratike;
Të afirmojmë Partinë Demokratike si alternativa kryesore e qendrës së djathtë demokratike, kombëtare, perëndimore dhe euro-atlantike në Shqipëri;
T’i japim pushtetit vendor fytyrën e alternativës sonë demokratike;
Të vendosim dhe të synojmë objektiva ambicioze, të hedhim bazat e sigurta të fitores së madhe në zgjedhjet parlamentare për largimin e qeverisë së korruptuar deri në palcë të Edi Ramës, dhe duke bërë realitet rrotacionin jetëdhënës të pushtetit që presin me etje të shpallur shumica e shqiptarëve.
Në lidhje me kandidatët për këshilltarë bashkiakë Alibeaj tha se duhet të fillojnë menjëherë nga puna duke ftuar demokratët dhe intelektualët rreth saj të shprehin interesin për të qenë pjesë e listës së këshiltarëve të PD-së në bashkitë respektive.
Sipas tij, paralelisht, kjo Kryesi do të miratojë një udhëzim të detajuar për mënyrën e zgjedhjes dhe renditjes së tyre në mënyrë demokratike dhe të drejtë.
Në lidhje me kandidatët për kryetarë të bashkive ai shtoi se në funksion të bashkimit, duke konsideruar realitetet që kanë prodhuar primaret e mëparshme të PD-së në prag të zgjedhjeve të vitit 2021, votimet me primare nga grupi i Rithemelimit dhe kandidime të tjerë.
Ai i propozoi Kryesisë hapjen në princip ndaj gjithë prurjeve në fjalë, në mënyrë eksplicite ndaj kandidatëve demokratë të primareve gjithashtu, me synim daljen me kandidatë unik.
Në lidhje me aleancat PD merr përsipër ti prijë ndërtimit të një aleance sa me të gjerë të mundshme të gjithë partive të qendrës së djathtë, me synim maksimizimin e votave të një të djathtë plurale ku secili subjekt zhvillon indentitetin e vet politik brenda kornizës përbashkuese të vlerave demokratike, kombëtare dhe Perëndimore.
Nga ana e tij Gazment Bardhi deklaroi se fokusi duhet të jenë vetëm zgjedhjet e 14 Majit.
Ne duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në dorë, të ofrojmë çdo gjë, që të gjendet zgjidhje dhe PD e opozita të dalë me kandidatë të përbashkët.



