
Kryetari i bashkisë Finiq, Kristo Kiço, për anulimin e vizitës së Kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, nën argumentin e kushteve atmosferike, thotë se kishin disa ditë që përgatiteshin për vizitën e tij, e cila ishte parashikuar për ditën e nesërme, një ditë pas samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Në një lidhje me studion e lajmeve në MCN Tv, ai deklaroi se ishte vizitë historike për minoritetin, pasi vjen pas afro 31 vitesh kur Kryeministri i atëhershëm Kostandinos Mitsotakis u ndal te minoriteti grek në Derviçan.
Sot mësuam se vizita u anulua, do të ndalej në Himarë, Livadhja dhe Derviçan. U shty për një datë të ardhshme, sipas komunikimeve tona dhe njoftimit nga zyra e shtypit të Kryeministrit grek.
Besoj se do të realizohet në një datë të afërme. Meqenëse do bëhej vizita në tre bashki, ishte vizitë e shkurtër, rreth një orë në çdo bashki.
Gjithsesi, në radhë të parë do informonim Kryeministrin e Greqisë, për problematikat që kanë lidhje me infrastrukturës, zhvillimin ekonomik dhe që kanë lidhej me miratimin e ligjeve të minoriteteve apo arsimimit në gjuhën amtare.
Fokusi kryesor do ishte në degën e infrastrukturës, duke pasur parasysh faktin që bashkia Finiq është bashki rurale, përfshin 5 fshatra në kufijtë e saj.
Një problem tjetër kryesor problemi i furnizimit me energji elektrike, problem i cili kohëve të fundit edhe prej motit të keq, përbën problem.
Do trajtohej problemi shumë i rëndësishëm dhe njerëzit e prisnin të trajtohej nga Kryeministri Mitsotakis, problemi i pensioneve që janë hequr që pas fillimit të krizës ekonomike në Greqi para 10 vitesh.
Kjo pritej edhe nga banorët e zonës me ankth, pasi është miratuar vendimi përkatës dhe ligji përkatës, këto janë thjesht probleme proceduriale, teknike, do trajtohej dhe nga Kryeministri dhe kanë lidhje me afatin, kur do fillohej që të aplikohej fillimi i marrjes së pensioneve.
Sa i takon fenomenit të braktisjes së fshatrave, Kiço deklaroi se duhet të ulet i gjithë spektri politik dhe të fokusohet tek kjo çështje, në mënyrë që të bëhet një analizë e detajuar, për të kuptuar shkakun se pse po ndodh diçka e tillë.
Fenomeni i braktisjes së fshatrave të minoritetit nuk është fenomen i kohëve të fundit, por ka filluar që pas viteve '90.
Ka qenë masiv gjatë gjithë këtyre viteve, edhe për shkak të diferencës së nivelit të jetesës në të dy anët e kufirit.
Kjo nuk duhet të na stepë përpara faktit se duhet investuar me strategji të qarta në bashkitë me minoritet, qoftë për zhvillimin, qoftë në turizëm, agroturizëm dhe sektorin bujqësor.
Duhet të frenojmë fenomenin e ikjes dhe të zbrazjes së zonave dhe kjo duhet bërë menjëherë.



