Shpëtoni Ketën! Fshati po shuhet për një copë rrugë e po thahet për një kanal uji (VIDEO)

Shpëtoni Ketën! Fshati po shuhet për një copë rrugë e po thahet për një kanal uji (VIDEO)

Fshati Ketë po shuhet ngadalë mes maleve të Xibrit. Jo sepse toka nuk prodhon, jo sepse banorët nuk duan të jetojnë aty, por sepse prej dekadash janë lënë pa rrugë, pa ujë dhe pa asnjë investim. 

 

Vetëm 1.2 kilometra rrugë ndajnë fshatin nga lumi, por banorëve u duhen deri në 30 minuta për ta kaluar me makinë. Në dimër rruga mbulohet nga bora e akulli, ndërsa në shi kthehet në baltë ku nuk kalon as ambulanca.

 

Kemi qëndruar me muaj të izoluar”, tregojnë banorët për emisionin “Fol” në MCN TV.

 

Kur ka urgjenca, të sëmurët transportohen me barrela ose me makina private. 

 

Po të hëngri gjarpri, direkt për Burrel. Po shpëtove, shpëtove.” Frika më e madhe e banorëve nuk është më varfëria, por izolimi.

 

Në një fshat ku shumica jetojnë me bujqësi e blegtori, edhe prodhimi rrezikon të humbasë. Kanali vaditës 9 kilometra i gjatë, i ndërtuar që në vitin 1976, mbahet ende me forcën e krahut nga vetë banorët. Një rrëshqitje dheu ka dëmtuar kanalin, ndërsa investimet mungojnë. 

 

Pa kanalin vaditës, mbaron bujqësia”, thonë ata. Edhe ujin e pijshëm e kanë siguruar vetë me tuba të tërhequr nga burimet e malit.

 

Por drama më e madhe e Ketës janë fëmijët që po largohen. Shkolla që dikur kishte 150 nxënës, sot numëron vetëm rreth 20. Fëmijët ecin deri në 1 orë e gjysmë në këmbë, në shi e borë, vetëm për të shkuar në mësim. Shumë familje janë detyruar t’i çojnë fëmijët në Tiranë me qira.

 

Ai që nuk ka mundësi, e lë fëmijën pa shkollë”, shprehet një qytetar, ndërsa banorët thonë se janë lodhur nga premtimet elektorale.

 

Vijnë në fushatë dhe zhduken sapo mbarojnë zgjedhjet.

 

Sipas tyre, edhe kur bashkia dërgon fadroma, ato largohen pa bërë punë, “Pa arritur tek përroi, fadromës i mbaron nafta.”

 

Ndërkohë, mbi tokat e fshatit ka mbërritur edhe “Paketa e Maleve”, që banorët e shohin si kërcënim për pronat dhe burimet e zonës. E ndërsa shteti premton agroturizëm, banorët bëjnë pyetjen e thjeshtë: “Ku t’i bëjmë bujtinat pa rrugë?”

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy