
OpenAI ka paralajmëruar se do të lejojë një gamë më të gjerë përmbajtjesh në ChatGPT, përfshirë edhe bisedat me përmbajtje erotike, si pjesë e qasjes së re për t’i trajtuar përdoruesit e rritur si të tillë.
Lejimi i përmbajtjeve erotike në ChatGPT po nxit debate në të gjithë botën.
Panelistët në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, Tomi Kallanxhi, ekspert IT, Ema Bruci, psikologe dhe Ari Bakalli, opinionist, theksojnë se gjithçka varet nga mënyra si përdoret teknologjia, dhe si e përgatisim veten për të bashkëjetuar me të.
Ata ndanë mendimet e tyre rreth këtij zhvillimi dhe ndikimit që mund të ketë tek të miturit dhe adoleshentët.
Tomi Kallanxhi, ekspert IT
Prej më shumë se dy muajsh, OpenAI po rregullohet me ligj, sidomos pas vdekjes së një të riu që ngriti shqetësime për ndikimin e AI. Tani edhe FBI ka akses dhe kontroll mbi rregullat e brendshme të kompanisë.
Ne e kemi theksuar vazhdimisht: edhe nëse fshihen bisedat, ato ruhen. Pra, nuk ka më vend për iluzione. Ndryshimi ishte i pritshëm, pasi shumë përdorues e shihnin ChatGPT si ‘këshilltar romantik’. Tani po bëhet një hap më tej.
Po ashtu, mendoj se do të ndikojë në trafikun e faqeve me përmbajtje erotike në internet. Me këtë lëvizje, ChatGPT mund të shkurtojë vizitat në faqe me ‘dritë të kuqe’, duke i zëvendësuar me përmbajtje të filtruar dhe më të personalizuar.
Ema Bruci, psikologe
Erotizmi ende mbetet tabu në shumë shoqëri, përfshirë dhe tonën. Prindërit shpesh nuk dinë si të flasin me fëmijët për çështje delikate si seksualiteti, dhe kjo është problematike.
Fëmijët që nga mosha 10 vjeç e kanë telefonin në dorë dhe përballen me informacion të pakontrolluar. Nëse një mjet si ChatGPT ofron përmbajtje të kontrolluar, mund të jetë më e sigurt se çfarë gjejnë në internet.
Megjithatë, si shoqëri nuk jemi ende të përgatitur për të diskutuar lirshëm me teknologjinë, sidomos për tema të tilla. Kjo kërkon edukim të prindërve dhe përgatitje të brezit të ri.
Ari Bakalli, opinionist
Teknologjia po na ndryshon thellësisht. Nga studimet, rezulton që varësia nga rrjetet sociale dhe ‘scrolling’-u i pandalshëm është bërë më e dëmshme se droga apo alkooli.
Sot, njeriu kërkon adrenalinë në 10 sekonda video, dhe kjo është shqetësuese. Lejimi i bisedave erotike mund të përkeqësojë këtë gjendje.
Unë nuk ndihem mirë të marr informacion intim nga një robot. Nuk e shoh si një zhvillim pozitiv. Teknologjia po na çon drejt një bote ku njerëzit janë më shumë hibridë dhe më pak njerëzorë.



