Në një fshat të thellë të Shqipërisë së veriut, në fshatin Rukaj të Burrelit, lind një histori e errët që për vite me radhë qëndroi e fshehur. Një histori që fillon me një zhdukje të mistershme dhe përfundon në zbardhjen e një prej krimeve më të rënda që ka tronditur opinionin publik shqiptar.
Klevis Lleshi në verën e vitit 2002 vetëm 22 vjeç u zhduk pa lënë gjurmë. Familjarët e kërkojnë kudo, duke kërkuar edhe ndihmën e policisë , por asnjë rezultat, i afërmi i tyre nuk gjendej.
Disa kohë më vonë, në një zonë të largët pyjore në Kurbin, për shkak të erozionit u gjetën disa kocka nga banorët e fshatit Shpërdhet, të cilat I përkisnin të riut nga Rukaj i Burrelit.
Diçka e tillë u vërtetua pas ekzaminimeve të kryera nga Instituti i Policisë Shkencore, me anë të ADN-së. Në fillimin e 2023, këto të dhëna Iu dërguan policisë së Lezhës dhe Prokurorisë së Matit, e cila po hetonte zhdukjen e të riut.
Tashmë nuk kishte më dyshime se i riu ishte marrë peng në afërsi të Pallatit të Sportit në qytetin e Burrelit e më pas të jetë vrarë e groposur në Shpërdhet të Kurbinit, fshat i cili ndodhet në një terren të thyer malor rreth 10 km larg qytetit të Mamurrasit. Mbetjet kockore dolën në sipërfaqe nga fenomeni eroziv në këtë zonë që solli rrëshqitjen e tokës në një sipërfaqe të konsiderueshme.
Në pamje të parë u duk sikur kjo nga ngjarje nuk do të zbardhej kurrë, por e vërteta e vrasjes së tij mori rrugën e zbardhjes duke shkuar tek autorët, organizatorët dhe porositësi i vrasjes.
Klevis Lleshi vetëm 22 vjeç humbi jetën për shkak të një spiraleje gjakmarrje mes dy fiseve Hoxha dhe Lleshi një konflikt që zgjat më shumë se një dekadë dhe që ringjallet në mënyrën më të dhunshme herë pas herë. Është një histori krimi, një histori gjaku, dhe një histori e një drejtësie që vjen shumë vonë.
Për të kuptuar vrasjen e Klevis Lleshit, duhet të kthehemi shumë pas në vitin 2012 në Sauthemptom, Britania e Madhe. Në këtë kohë komunitetit shqiptar atje u trondit nga një vrasje makabre, viktima ishte Agim Hoxha. I riu ishte vrarë në një apartament dhe më pas trupi u dogj në një makinë. Për këtë ngjarje drejtësia angleze dënoi dy vëllezërit Afrim dhe Arben Lleshi. Ky i fundit autor i vrasjes dhe Afrimi si bashkëpunëtor në zhdukjen e trupit.
Këtu fillon edhe saga e vrasjeve të burrave të familjes Lleshi, të cilët ndoshta faj të vetëm kishin se në gjakun e tyre rrjedh i njëjti gjak si ai i Arben Lleshit.
Nga mënyra e dhunshme më të cilën u vra Agim Hoxha dhe më pas u dogj dhe trupi, është nga ato ngjarje që shënjon jetën e të afërmeve të tij. dhe u dogje Për familjen Hoxha, ky nuk ishte vetëm një krim. Ishte një borxh gjaku. Në zonën nga vijnë dy fiset Hoxha dhe Lleshi tradita fisnore është e fortë, kujtesa kolektive ruan çdo ngjarje, hakmarrja nuk shuhet shpejt, përkundrazi jeton mes njerëzve dhe bëhet me e fortë nga viti në vit.
Pas konfirmimit se eshtrat e gjetura në Kurbin i përkisnin Klevis Lleshit dosja e hetimit për këtë çështje u mor në dorë nga prokuroria e posaçme, SPAK. Ajo ishte kryer nga një grup i strukturuar kriminal dhe autorët dhe organizatorët e saj, planin e kishin bërë duke përdorur komunikimet në Sky ecc. Kjo platformë komunikimi është në dorë të SPAK dhe nga komunikimet dhe provat e tjera u arrit që vrasja e Klevis Lleshit të zbardhej.
Mijëra mesazhe kanë kaluar në duar oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga ku faktohet përfshirja e Aurel Hoxhës si porositës i kësaj vrasje. Aurel Hoxha është, vëllai i Agim Hoxhës i vrarë në Angli në vitin 2012. Për këtë vrasje prokuroria thotë se janë paguar 50 mijë euro.
Komunikimet mes tij dhe Tori Xheçukës tregojnë agresivitetin e Hoxhës dhe vendosmërinë për ti shkuar deri në fund hakmarrjes së tij. Për gjakun e të vëllait ai thotë se do t’i vrasë të gjithë burrat e fisit Lleshi.
Plani vihet në zbatim për në datën 5 gusht të vitit 2020 dhe për të shmangur çdo implikim të tij në këtë ngjarje Aurel Hoxha vendos të largohet nga Shqipëria, për tu rikthyer disa ditë më vonë pas vrasjes së Klevis Lleshit.
Alibia e tij ishte shumë e fortë pasi ai ato ditë kishte qëndruar në Stamboll dhe nuk kishte të bënte më rrëmbimin, vrasjen dhe më pas groposjen e Klevis Lleshit.
Në datën 5 gusht 2020 Aurel Hoxha i dërgon një personi të paidentifikuar ende nga prokuroria një foto të një personi të shtrirë në tokë. Ai e shoqëron foton më mesazhin “një gënjeshtar më pak vëlla. Janë tashmë katër nga e njëjta familje, dhe deri sa t’i vras të gjithë burrat e tyre, nuk do të ndalem”.
Puna ishte kryer me sukses dhe Hoxha kërkonte që të njohur të tij që njihnin historinë të njoftoheshin për këtë vrasje. Hoxha e përshëndet duk i dërguar fotografinë të shoqëruar me mesazhin “e di që të bëhet qejfi, prandaj po ta çoj këtë foto. Deri tani shyqyr, mashallah, unë të drejtën time po kërkoj, zoti para dhe ne mbrapa”.
Deri në këtë moment ai nuk e kishte identifikuar viktimën dhe autorët dhe këtë gjë e bën në bisedë me Tori Xheçukun. Hoxha shkruan se iku dhe një vëlla, djali i Xhavitit. Ti marr pushimet njëherë vëlla edhe vetë ika në Stamboll. Nuk e bëra vetë, e bëri ai kushoja i Sajmirit. Se e patën lënë ta bëjmë te pallati, po u merrte vesh. Po ky e paska marrë në makinë dhe e paska mbaruar atë punë, ai i vogli, po ai Sabi.
Ndërsa vazhdon ta shpërndajë këtë sukses të tij dhe më një person tjetër i cili është në dijeni të konfliktit që ai ka me fisin Lleshi duke i shkruar “festë e gëzim paç gjithë jetën shok, e di se ty të bëhet qejfi, prandaj ta çova edhe atë k.... Ja u q.. rracën, ça kanë kërkuar kanë gjetur.”.
Sipas hetimit të SPAK, Klevis Lleshi rrëmbehet më 5 gusht 2020 pas një plani të detajuar të Aurel Hoxhës dhe i ekzekutuar në terren Sabah Nuzi, Sajmir Kolaveri. Ata akuzohen për vrasje për gjakmarrje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Pas rrëmbimit Klevis Lleshi torturohet dhe më pas ekzekutohet. Trupi zhduket në një zonë të thellë të Kurbinit për të humbur çdo gjurmë. Në Sky ECC, Aurel Hoxha flet me krenari për “punën e bërë”.
Dy ditë më vonë, ai largohet drejt Turqisë. Më pas kthehet në Rinas, i qetë, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Për disa muaj, ai vazhdon jetën normalisht, ndërsa familja Lleshi endet duke kërkuar Klevisin. Kjo deri në momentin që u zbuluan eshtrat dhe deri në momentin e zbardhjes së krimit në vjeshtën e këtij viti.
Pavarësisht se Aurel Hoxha dhe personat e tjerë mendonin që kishin bërë një punë të mirë në këtë rast, ata lanë prova dhe kjo vrasje tashmë është zbardhur.
Por kjo ishte vetëm njëra ana e dosjes për Aurel Hoxhën, pasi të ndërmarrë nisma të tilla ekzekutimesh duheshin shumë para. 36 vjeçari kishte ngritur në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës biznese dhe kishte blerë me dhjetëra apartamente të cilat nuk i justifikonte me burime të ligjshme.
Për këtë arsye SPAK njoftoi në muajin tetor se kishte sekuestruar pasuri me vlerë rreth 5 milion euro, të cilat dyshohet se origjinë të krijimit të tyre kanë trafikun e drogës.
Nën sekuestro preventive janë vendosur tre kompani tregtare që gjenden në rrugën Myslym Shyri në Tiranë një nga zonat me të shtrenjta të Tiranës. Zyra e këmbimit valutor “Monopol sh.p.k.”; kompania e organizimit të eventeve, “Elite Event sh.p.k. dhe personi fizik “Aurelinjo Kalaveri” nën emrin e së cilit ishte regjistruar “Monopol Bar Lounge”. Aurelinjo Kolaveri është emri i ndryshuar i Aurel Hoxhës.
SPAK në atë kohë njoftoi se janë sekuestruar shtatë apartamente në rrugën “Myslym Shyri” me sipërfaqe totale 939.5 m2, gjashtë njësi me sipërfaqe të përgjithshme 533 m2 në të njëjtën zonë, 32 autovetura, mes të cilave një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan si dhe 52 llogari bankare, në pronësi të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të personave nën hetim. Sipas prokurorisë, vlera totale e pasurive të sekuestruara përllogaritet të jetë afërsisht 5 milionë euro.
Po ashtu, hetimet për vrasjen kanë zbuluar pastrimin e parave që kryhej nga grupi i kryesuar nga Aurel Hoxha. Sipas hetuesve këta persona kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal dhe disa prej anëtarëve dyshohet se kanë mundësuar injektimin e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme në sistemin financiar shqiptar.
Kjo është realizuar përmes investimeve me karakter dyshues, ndërkohë që një pjesë e parave është përdorur për rrëmbimet dhe vrasjet.
Të ardhurat e kundërligjshme dyshohen se janë krijuar nga trafikimi i narkotikëve nga vendet e Amerikës së Jugut, drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë. Këto të dhëna janë siguruar nga autoritetet ligjzbatuese të disa vendeve të Bashkimit Europian, si dhe nga analiza e komunikimeve në platformën e enkriptuar Sky ECC.
SPAK ka të zbardhur nga kjo sagë vrasjesh vetëm ekzekutimin e Klevis Lleshit, ndërsa të pazbardhura janë vrasjet e Xhavit Lleshit vrarë në 2013, Hajredin Leshit, vrarë në 2016 dhe Arben Lleshit. Ky i fundit u vra brenda burgut të sigurisë së lartë në Peqin në vitin 2023 nga Sokol Mjacaj. Ndërsa i zhdukur preh 2017 rezulton Artan Lleshi , i cili humbi kontaktet me familjen e tij në zonën e Kamzës dhe prej asaj kohe nuk dihet asgjë për të.
Këto janë ngjarje që i përkasin periudhave ku nuk ka ekzistuar platforma Sky ecc dhe prokuroria e ka të vështirë të gjejë indicien që e dërgon tek prova.
Aurel Hoxha sipas prokurorisë zgjodhi gjakmarrjen deri në fund dhe nuk do të ndalej derisa t’i vriste të gjithë burrat e fisit Lleshi, dy prej të cilëve u përfshinë në vrasjen e të vëllait në vitin 2012. Kjo histori është pasqyrë e një realiteti që Shqipëria ende e mbanë brenda vetes siç është gjakmarrja, e cila sjellë gjithmonë e më shumë gjak, por asnjëherë drejtësi.



