
Ish-myftiu i Tiranës Ylli Gurra e konsideroi të dhimbshme faktin që shumë të moshuar në Shqipëri duhet t’i kalojnë ditët në qendrat rezidenciale.
Duke folur në MCN Live, Gurra tha se shteti e ka lënë situatën në “rënie të lirë”.
Gurra thekson se shoqëria dhe qeveritë në Shqipëri duhet të shohin më larg, duke mos i lënë këta të moshuar “në hallet e tyre”, apo duke parë si zgjidhje vetëm qendrat rezidenciale.
Ka një të vërtetë të madhe që njeriu nuk vdes vetëm një herë, jo vetëm fizikisht. Në momentin që vdes dinjiteti është një vdekje. Kur humb bashkëshorten, bashkëmoshatarët është një tjetër vdekje. Vdekja e dinjitetit e ul shumë moralisht dhe pse jo fizikisht këtë moshë. Për një vend tregojnë shumë maternitetet dhe vendet ku përcillen. Në këtë tematikë nuk ka si të përjashtohet religjioni. Është shumë e dhimbshme, Shqipëria është në fazat e parë, që prindërit të shohin që shpëtimi i tyre të jenë ca para që fitojmë jashtë, për t’i dërguar në qendrën e parë të pritjes, rezidenca. Ne që po flasim këtu, pas disa vitesh dhe dekadash do ta kuptojmë mirë dhimbjen dhe goditjen e dinjitetit që provojnë këta qindra. Është e dhimbshme që fëmijët, një, dy, sado qofshin, sidomos ky brezi i sotëm që kanë jetuar në harkun e dy regjimeve, dhe në fund t’i kalojnë ditët në qendrat rezidenciale. Është e dhimbshme kjo. Edhe qeveritë tona po e shohin të arsyeshme që le të ketë një shkëputje ky zinxhiri moshor. Këtë pjesën tjetër të jetës 15-20 vjet shteti duket sikur e ka lënë situatën në rënie të lirë. Italianët jetojnë shumë mirë, por jetojnë me ato 30 apo 35 vite që kanë punuar. Shoqëria dhe qeveritë duhet ta shohin pak më larg, jo thjesht të shohin hallet e tyre, tregu ka qendrat rezidenciale dhe ja u zgjidh!"
Gurra tha se faktorë të rëndësishëm në formimin e brezit të ri janë familja dhe shkolla, duke shtuar se mënyrën se si sillemi me brezin e vjetër nuk mund t’ia mveshim idesë se ka ardhur koha moderne.
Besoj që familja po se po, por edhe shkolla patjetër ka të bëjë. Është faktor në mënyrën se si përcillet te brezi i ri. Nëse do t’i lëmë në rënien e lirë, do t’ia mveshim të gjithën asaj ‘ka ardhur koha moderne’. Jo, njeriu ka vlerë. I besoj fuqishëm që gjithçka nis nga familja dhe mënyra e arsimimit. Duhet një respektim deri ditën e fundit. Vërtet ka raste, janë shumë të rralla, ku shërbimi ndaj një të vjetri është shumë i vështirë, sidomos ata me probleme shëndetësore. Në këto raste është i pamundur shërbimi në shtëpi.
Gurra tha se shpesh dëgjon të moshuar që thonë se “ishim shumë më mirë në kohën e komunizmit”, me gjithë tmerret që kishte regjimi. Gurra theksoi se sot ka një mosmirënjohje dhe goditje të dinjitetit të të moshuarve.
Jeta nuk është parajsë, as në Londër as në Shqipëri. Bota perëndimore dhe disa shtete të tjera kanë luksin të zgjidhin diçka, por jo gjithçka. Për realitetin shqiptar ka vështirësinë e asaj që dolëm nga ajo që dolëm. Por unë dëgjoj shpesh që thonë ‘ishte shumë më mirë’. Kishim vështirësitë e punës, diskriminimit, por te gjiri i familjes ishin më të respektuar, më të afërt. Nuk kishte goditje dinjiteti. Mbaj mend gjyshin që ndërroi jetë në vitin ’86 dhe ne e kishim si të shenjtë. Ata njerëz vdisnin, përkundër tmerreve të regjimit, në një rehati shpirtërore. Turravrapi i kapitalit s’do mbarojë. Do shohim realitete aq të çuditshme sa nuk i imagjinojmë dot. Kjo është mosmirënjohje. Çfarë vlere ka nëse unë do jem kryeministër dhe nuk i kthej minimalen e mirënjohjes prindërve të mi?! Sidomos nëna, ajo që të ka mbajtur 9 muaj në bark".



