
Hakmarrja është pista kryesore që po heton policia për vrasjen e 30-vjeçarit Kristian Marku (Bardhi) mbrëmjen e 13 janarit në aksin Fier-Vlorë.
Marku përdorte dy identitete, edhe Kristian Bardhi, ndërsa rezulton të jetë nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në shtator të vitit 2023.
Blutë dyshojnë se vrasja është kryer për hakmarrjen afro 28 vjeçare mes fiseve Reçi e Bardhi në Rrëshen.
Sipas burimeve blutë kanë zbarkuar gjatë natës dhe në banesën e familjes Reçi ku janë ushtruar kontrolle dhe shoqëruar katër anëtarë të këtij fisi.
Ata janë marrë në pyetje në lidhje me krimin, por kanë mohuar të kenë dijeni dhe lidhje me ekzekutimin e 30-vjeçarit.
Viktima nuk është një emër i panjohur për autoritetet, pasi ai ka precedentë të mëparshëm penalë për “vrasje me dashje në bashkëpunim të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak”.
Në vitin 2023, Kristian Marku është skeduar nga policia si i dyshuar për një ngjarje të ndodhur në 26 mars të po këtij viti në Rrëshen, ku pati të shtëna me armë zjarri në drejtim Saimir Reçit. Por, nuk u arrit të provohet përfshirja e tij në këtë ngjarje dhe arriti të fitojë lirinë.
Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit i vrarë me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020.



