Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka refuzuar edhe takimin e nesërm me presidentin Hashim Thaçi.
Në faqen zyrtare të LV-së në Facebook është publikuar letra që Kurti i ka nisur sot presidentit Hashim Thaçi.
“Ju faleminderit për ftesën e radhës. Nuk do të kem mundësi që të vij nesër për takim në ora 10:00”, ka shkruar Kurti.
Megjithatë, i pari i LV-së i ka propozuar Thaçit që të takohen me datën 6 janar kurdo që t’i pwrshtatet presidentit.

Kjo është hera e tretë që Kurti refuzon takimin me Thaçin.
15.26h- Formimi i qeverisë së Kosovës/ Thaçi e fton Kurtin në takim për herë të tretë
Pas dy ftesave të refuzuara, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar sërish ftesë për takim liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. Takimi parashihet të mbahet nesër në orën 10:00, në Presidencë.
“Andaj me qëllim të konsultimit për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Ndryshe, dje Kurti tha se presidenti përcakton datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.
“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti.



