Kandidatja e partisë opozitare, VMRO-DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, triumfoi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Duke folur përmes një lidhjeje skype në edicionin e lajmeve në MCN TV gazetari Nevrij Ademi tha që rezultati ishte i pritshëm për shkak të nacionalizmit të shitur mirë nga VMRO-DPMNE.
Gazetari po ashtu vë në dukje se nëse shqiptarët do të kishin dalë me një kandidat të përbashkët, ai do të garonte në raundin e dytë. Ai shton se lajmi për takim mes Taravarit dhe Ahmetit e Xhaferrit, është përngënjeshtruar.
"Fitorja e VMRO-DPMNE në një farë forme ose tjetrën ishte e pritshme, për shkak se ata kohët e fundit kanë ngjallur nacionalizmin, e cila shitet shumë mirë te pala maqedonase. Ata kanë treguar një nacionalizëm të vërtetë duke folur kundër shqiptarëve në çdo tubim, dhe duke bërë thirrje për masivitet votash atë ditë, që siç thonë ata, të mos lejojnë që shqiptarët as në 24 prill as në 8 maj të jenë faktor. Thirrjet e VMRO-DPMNE janë shumë në dëm të shqiptarëve. Kemi një VMRO-DPMNE që do të largojë çdo gjë shqiptare nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Sikur ne të kishim një kandidat shqiptar në këto zgjedhje, do të ishim të sigurt në raundin e dytë. Ofertat kanë qenë të shumta. Lajmi që Taravari është takuar me Ali Ahmetin dhe Talat Xhaferrin është i rremë, kandidati Taravari ka reaguar ndaj këtij lajmi. Në zgjedhjet e raundit të dytë do të duhet që të rreshtohemi nga VMRO-ja apo LSDM-ja, apo edhe t’i bojkotojmë zgjedhjet. Nuk kemi asnjë qëndrim të asnjë partie politike, megjithëse Mickoski ka thënë se do ketë mbështetje nga opozita shqiptare, por kjo pritet të vërtetohet”.



