
Kryeministri Edi Rama deklaroi se pushteti vendor shfrytëzon vetëm taksat për të funksionuar dhe se ajo që kthen mbrapsht është qesharake.
Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Golem mesditën e sotme, ai deklaroi se janë krijuar kushtet që të fillohet të krijohet shteti sipërmarrës, duke u bërë partnerë me sektorin privat dhe duke marrë pjesë në fitimin e sipërmarrjes.
Kreu i qeverisë shtoi se do të kushtëzohen fondet për bashkitë, me çfarë kthejnë mbas si investim.
Pushteti vendor vetëm shfrytëzon taksat për të funksionuar, por nëse pyeten se sa të ardhura kanë sjellë, shifrat janë qesharake dhe janë të ndërlidhura me qiratë. Janë krijuar kushtet që të fillojmë të krijojmë shtetin sipërmarrës, duke u bërë partnerë me sektorin privat dhe duke marrë pjesë në fitimin e sipërmarrjes.
Këtë gjë po e bëjmë në industrinë ushtarake, me korporatën shqiptare të investimeve. Këtë gjë po përpiqemi ta bëjmë në çdo sektor, duke vënë në dispozicion të iniciativave sipërmarrëse asetet tona, ose duke investuar para drejtpërdrejtë. Do t’i kushtëzojmë fondet me çfarë kthejmë mbas si investim.
Deri dje kemi dhënë shumë asete falas, janë dhënë dhe janë lënë rrugëve në të shkuarën, asete që nuk numërohen dhe janë lënë në duar të pasigurta plotë prona shtetërore që nuk janë kthyer në të ardhura për ekonominë tonë.
Janë dhënë pafundësisht tokash për zhvillim. Por ne nuk japim më asnjë metër katror tokë në rast se një ndërtues gjendet në kushtet ku ka 95% të pronës dhe pjesa tjetër është pronë shtetërore. Ndërsa në të kaluarën ndërtuesi paguante me çmim reference dhe merrte tokën.
Për çdo metër ku pronar është shteti, ne kemi kushtëzuar pjesëmarrjen si pronar, për të marrë mbrapsht atë që i takon shtetit. I vetmi motiv me kontratë 1 euro, është hoteleria. Jo për vila apo pishina.
S’mund të prisni vetëm nga buxheti i shtetit. Sot jo të gjithë bashkitë kanë kryer fazën e parë të “Paketës së Maleve”. E papranueshme. Nuk e di a e patë por kur paketa u shpall, kishte 700 e kusur aplikime vetëm në ditën e parë.
Është mënyra të thithim kursimet e shqiptarëve jashtë vendit dhe të investojnë këtu. Ç’është kjo, kërkon shkencë të bëhet harta?



