Sekretari i Institutit Shqiptar për Gjeopolitikën, Agim Krasniqi thotë se, filozofia na ka mësuar se çdo ngjarje nuk ndodh rastësisht, ndaj deklaron se edhe rasti i Rusisë, mund të ketë një skenar të parapërgatitur.
Ai tha për MCN Live se ngjarjet që po precipitojnë, japin një lidhshmëri me ngjarjen në ish-shpërbërjen e Jugosllavisë.
Lufta aktuale apo agresioni i Rusisë në një shtet sovran, i jep fund rendit të vjetër botëror, që ka të bëjë me mosndërhyrjen e shteteve të tjera në një vend sovran. Ky është agresion klasik që po i bëhet Ukrainës, Rusia nuk besoj se do të tërhiqet. Takimet e ministrave të Jashtëm të dy vendeve, janë për të zbutur tensionet, për të fituar kohë, në këtë rast i leverdis Rusisë, e cila ka hasur në një rezistencë të jashtëzakonshme nga forcat ukrainase, që fillimisht të pushtojë pjesën lindore të Ukrainës dhe ta copëtojë atë, duke e shtrirë pushtimin e saj. Sa i përket armëve bërthamore, nuk mund ti vihet pika askund, se është pikë jashtëzakonisht e ndjeshme dhe çdo prononcim prej saj mund të krijojë frikë në opinionë.
I pyetur nëse jemi përballë një kërcënimi real të Ballkanit, Krasniqi tha se Rusia ka investuar për të përfituar në disa shtete të Ballkanit, por shprehet se në këtë fazë nuk beson se do të ketë përhapje të konfliktit.
Sipas tij, pyetja që shtohet është se kur do ti përshtatet Putin që të destabilizojë Ballkanin.
Forcat e NATO-s kanë shtuar prezencën në Kosovën veriore dhe Mal të Zi, në mënyrë që të mos ketë tensione në rajon, gjë që do të shtronte vatrën e zjarrit dhe që do i leverdiste Putinit. Është parashikuar se katër mund të jenë vatrat e krizës. Ukraina, vatër e krizës, gjë që po ndodh. Sebrbia, Bosnjë Hercegovina dhe Kosova. Por duke qenë se Kosova është nën sigurinë e KFOR, pjesë e strukturave të NATO-s. Kosova nuk duhet të frikësohet, për shkak të aleatëve tanë SHBA dhe NATO. Besoj se nuk do ta pësojnë fare shqiptarët në rajon, se çdo gjë nuk mund ti lihet fatit të një personaliteti, siç është në këtë rast zoti Putin, apo aktorë të tjerë bashkëveprojnë me qeverinë e federatës ruse.
Lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe reagimin serb, që mund të ketë fatin e Ukrainës, ai i cilësoi si mesazhe boshe të politikës serbe, duke nënvizuar se Serbia nuk është faktor në këto procese.
Ai tha se koha në politikë është thelbi i çdo suksesi dhe se në momentin që vjen koha, politika duhet të veprojë.
Koha për Kosovën ka ardhur dhe politika duhet të veprojë me vendosmëri dhe duhet të jetë pjesë e NATO-s në një afat të përshpejtuar, për të evituar kanosjen për destabilizim të Kosovës, edhe pse është e ruajtur nga forcat e KFOR, mund të ketë faktor që duan destabilizimin normal të shtetit të Kosovës. Gjasat janë që këtë vit, Kosova të anëtarësohet në NATO.
Sa i takon kërkesës së opozitës shqiptare ndaj Kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga nisma e Ballkanit të Hapur, ai tha se ne duhet të fokusohemi tek politikat madhore dhe se as shqiptarët dhe as serbët, nuk mund të vendosin për çështje të Ballkanit.
Opozita do të ishte mirë që ti bashkohej qeverisë aktuale në Shqipëri dhe të bashkërendojnë mbrojtjen e interesave të shtetit në Shqipëri, Kosovë dhe gjetiu.



