Zhvillimet rreth dosjes së AKSHI-t vijojnë të mbeten të paqarta, ndërsa mungesa e informacionit dhe heshtja e aktorëve kryesorë po shtojnë dyshimet mbi ecurinë e hetimeve.
Pronari i televizionit MCN, Endri Meksi, theksoi se kontaktet me biznesmenët e përfshirë nuk kanë dhënë rezultat.
“Çfarë po ndodh? Nuk kemi informacion. Aktorët e tregut flasin pothuajse zero. Kemi kontaktuar biznesmenët që përmenden dhe u kemi dhënë mundësinë të sqarohen, por ata refuzojnë.
Sipas Meksit, hetimet mund të jenë në zhvillim, por mungesa e rezultateve konkrete mbetet shqetësuese, sidomos duke marrë parasysh se kanë kaluar disa ditë nga rasti në fjalë. Ai nënvizoi se çështja e AKSHI-t paraqet interes të veçantë për publikun dhe kërkon më shumë transparencë.
Biznesmenët e përfshirë refuzojnë deklaratat për median. Në këtë dosje, porositësi mbetet i paqartë. Duhet të kishte pasur zhvillime, ndoshta edhe ka, por elementët janë të mjaftueshëm për të arritur në një zgjidhje eventuale. Mbetet interesante mënyra se si po hetohet kjo çështje, pasi personat e përfshirë duket se kanë qenë pjesë e aktiviteteve më të mëdha sesa u takon për pozicionet dhe pagat që kanë pasur.
Duke folur për stafin e AKSHI-t, Meksi u shpreh se nuk sheh një përfshirje të qëllimshme të shumicës së punonjësve në këtë çështje, duke përjashtuar raste të veçanta.
Në tërësi, nuk shoh një skenar ku stafi është përfshirë me dëshirë në një histori të tillë. Do të përjashtoja disa individë të caktuar, por për pjesën tjetër nuk shoh interes që emrat e tyre të përmenden në një aferë të tillë për një pagë që nuk është e konsiderueshme,” tha ai.
Ai shtoi se punonjësit e sektorit IT mund të jenë përfshirë në një “vorbull” skemash të krijuara, nga e cila është e vështirë të tërhiqesh. Sipas tij, deri më tani janë marrë në pyetje persona të ndryshëm, por nuk ka ende indicie për hetime më të rënda ndaj stafit teknik.
Në lidhje me natyrën e çështjes, Meksi theksoi se bëhet fjalë për mashtrime kompjuterike, ku roli i specialistëve IT nuk lidhet me vendimmarrjen apo urdhrat e drejtuesve, por me përfshirje direkte në veprën penale.
Në fund, ai bëri thirrje për kujdes në trajtimin publik të çështjes dhe shmangien e spekulimeve.
Nisur nga sa thamë, do të ishte shumë e rëndësishme që të përpiqemi të spekulojmë sa më pak, pasi kjo do të dëmtonte shumë,” përfundoi Meksi.



