Vizita në Greqi e ministrit të jashtëm turk Mevlut Çavushoglu, ka nisur me përplasje me Athinën zyrtare. Ministri turk u ndal fillimisht në rajonin e Trakës ku u takua me komunitetin turk duke ngritur shqetësim për respektimin e të drejtave të tyre.
Në një postim në Twitter, Çavushoglu shkroi se “Puna e myftinisë kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në ruajtjen dhe forcimin e unitetit dhe solidaritetit të pakicës turke” në këtë pjesë të Greqisë.
Ndërkohë Ministria e Jashtme Greke i konsideroi deklaratat si provokim, duke mohuar sërish ekzistencën e një minoriteti turk në verilindje të vendit.
Greqia e konsideron pakicën në Traki si fetare, duke theksuar prejardhjet e ndryshme etnike të anëtarëve të saj, ndërsa Turqia këmbëngul ta referojë atë si një pakicë etnike turke, në kundërshtim me Traktatin e Lozanës, të cilën Greqia thotë se Turqia ka detyrimin për të zbatuar.
Çavushoglu do të takohet të hënën me homologun Nikos Dendias, me të cilin pritet dalin në një konferencë të përbashkët për mediat.



