
Zef Bushati, ish-ambasador i Shqipërisë në Vatikan tha në studion e lajmeve të MCN Tv se zgjedhja e një Pape të ri kushtëzohet dhe nga koha që po kalon bota.

Nuk jam shumë dakord me shprehjen që Papa ka lënë një boshllëk dhe do të jetë humbje e pazëvendësueshme. I pazëvendësueshëm në religjione është i dërguari i Zotit. Njerëzit nuk janë të pazëvendësueshëm. Njerëzit janë të zëvendësueshëm. Kur ishte Papa Gjon Pali që ishte një njeri i jashtëzakonshëm, ndokush mendoi që kush do e zëvendësojë, ja që doli Papa Benedikti. Kur dha dorëheqjen Benedikti erdhi Papa Françesku.
Papët nuk janë të pazëvendësueshëm. Secili jep kontributin e jashtëzakonshëm dhe mesazhin e tij. Secili nga Papët nga veçoritë e tij. Papa Françesku ishte i dhënë pas modestisë, dëshirës për të ndihmuar njerëzit në nevojë, të gjithë shtresat që nga vështirësitë e jetës nuk arrinin dot t’i përballonin. U veçua për faktin që nuk i pëlqente luksi i tepruar.
Këto ditë shumë kanë folur, shumë e kanë përshëndetur. Udhëheqësit më të mëdhenj të globit e kanë vlerësuar dhe përshëndetur kontributin e tij dhe kanë shprehur keqardhjen. Humbja e çdo Pape ndjell keqardhje të madhe, por kjo është jeta.
Në Kishën Katolike natyra si Papa Françesku quhen baritorë. Baritorë quhen ata që i udhëheqin njerëzit, qëndrojnë pranë tyre, është i lidhur me hallet e njerëzve. Ndonjë Papë tjetër mund të mos e ketë këtë natyre baritore. Kur Kolegji i Kardinalëve ka detyrën për të zgjedhur një Papë ata e shihnin në kompleksitet. I përshtatin karakteristikat e tij dhe me aktualitetin dhe me kohën që po kalon bota. Kur u zgjodh Papa Francesku ishte periudha që ai me natyrën e tij përshtatej dhe kjo ishte zgjedhje e mirë jo vetëm për faktin që ai nuk donte luksin dhe gjërat e tepruara. I thoshte kardinalëve pse duhet të keni apartament me 4 dhoma apo 6. I thoshte pse duhet të merrni makina luksoze. Kur erdhi koha që situata nisi të ndryshonte, jo në raport me pasurimin e një shtresë të caktuar që ne i quajmë oligarkë, ndodhën konfliktet e armatosura. Ndodhi konflikti në Ukrainë dhe Gaza. Bëri përpjekje që të ndikonte që konfliktin ta zgjidhnin me paqe dhe pa u vrarë njerëz. Në atë periudhë kohe donte të takohej me Putin.
Më tej Bushati tha se bashkëjetesa fetare ishte arsyeja pse Papa Françeku zgjodhi të vizitonte Shqipërinë.
I pëlqente ta shihte me sy bashkëjetesën fetare që kanë shqiptarët. Bashkëjetesa fetare nuk është gjë e vogël. Ne na e kanë lënë të tjerët dhe nuk e kemi prishur. Jemi tolerantë, mendojmë se Zoti është një për të gjithë.
Kur ishte Papa rëndë që atëherë filluan të dilnin emrat. Kanë filluar të testojnë. Edhe këta të basteve nuk rrinë mbrapa, kanë filluar të hedhin bast kush do zgjidhen. Janë 5-6 që lakohen. I pari është Pietro Parolini, nga testimet që bëhen ka më tepër mundësi. Mendohet se ky duhet të jetë më i mundshmi.



