Forcat e Sigurisë në turneun e tenisit US Open nxorrën jashtë stadiumit një tifoz të martën, pasi lojtari gjerman Alexander Zverev u ankua te arbitrat se kishte dëgjuar "frazën më të famshme të Hitlerit që ekziston" nga tribuna.
Incidenti ndodhi gjatë setit të katërt, teksa Zverev i renditur i 12-ti shërbente kundër italianit Jannik Sinner, gjashtë vende mbi të në listën e ATP-së. Ndeshja kishte filluar të hënën në mbrëmje.
"Ai sapo tha frazën më të famshme të Hitlerit që ekziston në këtë botë," i tha Zverev gjyqtarit James Keothavong. "Kjo është e papranueshme", shtoi ai.
Tifozi u identifikua dhe u shoqërua nga stadiumi. Zverev e humbi atë set, por përfundimisht fitoi ndaj Sinner për të kaluar në çerekfinale, ku do të përballet me kampionin mbrojtës të Spanjës, Carlos Alcaraz.
"Ai filloi të këndonte himnin e Hitlerit," u tha Zverev gazetarëve pas ndeshjes. "Ishte 'Deutschland ueber alles' dhe ishte pak e tepërt", u shpreh ai.
"Gjermania, Gjermania mbi të gjitha, mbi të gjitha në botë" janë rreshtat e "Kënga e gjermanëve", shkruar në 1841 dhe miratuar si himni kombëtar i Gjermanisë së Weimarit në 1922.



