Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku duke folur në MCN Live u shpreh kundër futjes së PL-së me prioritet në listat e PD-së, duke theksuar se më së pari duhen futur aleatët besnikë, ideologjikisht të djathtë, që s’kanë qenë në bashkëqeverisje me Ramën. Sipas tij martesa PD-PL është e vështirë në terren dhe mund të mos provohet e suksesshme. Ai u shpreh pro një liste ku të përfshihen të gjitha partitë dhe grupimet opozitare, duke krijuar një front të vetëm, si e vetmja mënyrë për të rrezuar Ramën.
“I vetmi shans që opozita ka për ta rrezuar Ramën është krijimi i një fronti të përbashkët për ta goditur Ramën. Edhe kjo po bëhet e vështirë. Në rast se shkohet në grupe opozitare të ndara, do jetë një skenar i dëmshëm. Futja e aleatëve në lista është një vlerësim që bëhet...E para duhet të ketë një parim për të gjithë. Fokusi kryesor do jetë te aleatët e djathtë, që ndajnë ideologji dhe histori të përbashkët. Nuk do isha në favor të futjes së partive të majta. Kam histori konkrete në Dibër, ku Bulqiza është drejtuar për një kohë të gjatë nga një kryetar bashkie të LSI. Më tregonin që më radikal me demokratët e Bulqizës ktheheshin këta të LSI se PS. Politikisht mendoj që përgjegjësia e madhe për këtë monstër politike që është kthyer Rama është e LSI, që brenda 6 muajsh ndërroi pozicion. PS-LSI ka qenë bashkëqeverisja më e dëmshme. PL ka elektorat të majtë, që s’do votojë kurrë për PD. Nuk bëhet bashkë me PD-në ky elektorat. Kjo është martesë e vështirë. E kuptoj pozicionin e z.Berisha dhe e respektoj. Por nga ana politike s’do provohet ekuacion i suksesshëm. Do ta kisha pranuar që të ishte brenda një liste, po të ishte gjithë fronti opozitar në një listë. Por të lihen jashtë pjesë që kanë dalë nga PD, dhe të futen të majtë! PD në rast se do akomodojë brenda listave aleatët, prioritar do ishin aleatë që kanë ndenjur besnikë, ndajnë të njëjtin program, ideologji, s’duhet të kenë pasur tango dhe bashkëqeverisje me Ramën”.
Çollaku tha se primaret në PD, ndonëse janë detyrim statutor dhe emancipuese si proces, në kushtet e PD mund të krijojnë konflikte të reja.
“Primaret janë detyrim statutor. Por duke qenë se vijmë nga një situatë politike ku bashkimi ende s’ka ndodhur në masën më të madhe. Në pak degë ka ndodhur një unifikim i plotë. Mendoj që një primaresh drastik 40 ditë para listave, do krijonte konflikte të reja dhe do ta spastronte PD-në nga çdo grup që mendon ndryshe nga linja zyrtare. Ndonëse është detyrim statutor, dhe emancipues, momenti historik kemi që të ndalim një mandat të ri të Ramës, duhet parë me delikatesë ky moment”.
Çollaku tha se është e drejta legjitime e Berishës të përcaktojë edhe 100 për qind të listës së PD-së.
Sipas deputetit mos lejimi i votimit të afro 200 mijë emigrantëve që s’kanë rinovuar dokumentet e identifikimit, mund të jetë një truk i PS për të bllokuar votën e diasporës.
“Ndodhemi në një situatë absurde, për të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë. Në vlerësimin tonë bëhet fjalë për 150-200 mijë shqiptarë me të drejtë vote, që ndodhen jashtë, për arsye të ndryshme s’i kanë rinovuar, s’janë kujdesur të kenë dokumente të vlefshme, ky s’është kusht që penalizon shtetësinë e tyre sipas Kushtetutën. Të gjithë këta që ndodhen në listën e zgjedhëse kanë të drejtë të votojnë. Debati është i thjeshtë. Nëse ju provoni me një dokument që jeni X, patjetër ju duhet garantuar e drejta e votës. S’ka asnjë nen në Kushtetutë që për shkak të mospajisjes me një dokument humbet të drejtën e shtetësisë. Pajtohem që duhet të ishte menduar më herët nga PD. Ose është një truk për të bllokuar votën e diasporës nga PS”.



