Parlamenti i Indonezisë pritet të miratojë një ligj të ri penal këtë muaj, i cili do të dënojë seksin jashtë martesës me burgim deri në një vit.
Bambang Wuryanto, një politikan i përfshirë në propozimin e draftit, tha se ligji mund të miratohet që në fillim të javës së ardhshme.
Nëse miratohet, ligji do të zbatohet si për qytetarët indonezianë ashtu edhe për të huajt.
Ndëshkimi për tradhtinë bashkëshortore mund të hyjë në fuqi vetëm nëse ka palë që ankohen tek autoritetet.
Për ata që janë të martuar, pala që ka të drejtë të ankohet është burri ose gruaja.
Ligji gjithashtu lejon që prindërit e personave të pamartuar t’i denoncojnë fëmijët për marrëdhënie seksuale para martese, raporton BBC.
Gjithashtu do të ndalohet bashkëjetesa para martesës dhe të akuzuarit mund të dënohen me gjashtë muaj burg.
Grupet e biznesit kanë shprehur shqetësimin për dëmin që rregullat mund t’i shkaktojnë imazhit të Indonezisë si destinacion pushimesh dhe investimesh.
Shinta Widjaja Sukamdani, nënkryetar i Shoqatës së Punëdhënësve të Indonezisë (APINDO), tha se:
Për sektorin e biznesit, zbatimi i këtij ligji zakonor do të krijojë pasiguri ligjore dhe do t’i bëjë investitorët të rishqyrtojnë investimin në Indonezi.
Drafti i mëparshëm i ligjit ishte parashikuar të miratohej në vitin 2019, por shkaktoi protesta mbarëkombëtare me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në demonstrata.



