Në Zululandin e sotëm, Mustafa Nano kishte ftuar sociologen Nermin Aga, zv. kreun e Komunitetit Mysliman, Ali Zaimi dhe Myftiun e Durrësit, Redin Quku, për të folur lidhur me aktet terroriste të Brukselit, ku gjetën vdekjen 32 vetë e u plagosën dhjetra të tjerë.
Biseda pati pjesën laike të vetën (me zonjën Aga) dhe pjesën fetare (me zotërinjtë Zaimi e Quku), dhe të ftuarëve iu kërkua t'u jepnin përgjigje pyetjeve se çfarë motivacionesh kanë terroristët, a janë myslimanë ata, çlloj myslimanësh janë, pse e urrejnë perëndimin, pse ekziston islamofobia (që, sipas Qukut, duhet quajtur myslimanofobi) në perëndim, pse nuk integrohen myslimanët në perëndim, është faji i myslimanëve apo i perëndimorëve, e kështu me radhë.
Zonja Aga i mëshoi idesë se faji është i të dyja palëve, ndonëse parapëlqimet e saj akademike (autorët re saj të preferuar kur vjen puna në këtë diskutim ishin Edëard Said e Noam Chomsky) linin të nënkuptohej se bënte me më shumë faj perëndimorët.
Ndërsa zotërinjtë Quku e Zaimi i mëshuan idesë se terroristët janë myslimanë të keqkuptuar, që u bëjnë një interpretim të shtrembëruar ajeteve kuranore, dhe se myslimnanët e tjerë nuk ka pse të kompleksohen prej terroristëve.
Nano pati me të tre një shkëmbim mendimesh që në dy-tri raste u shoqërua me mospajtime. "Myslimanët nuk janë terroristë, por terroristët janë myslimanë", u shpreh Nano, dhe pak më tej mbrojti tezën se "myslimanët janë vetëghetto-izuar në vendet e perëndimit". Zaimi foli për një islamizim të radikalizmit, ndërsa Quku foli për një islam standard shqiptar që duhet mbrojtur nga të gjithë.



