
Ministria e Kulturës bashkohet me Ekonominë dhe inovacionin, ku ditën e djeshme kryeministri Rama dha lajmin se drejtimin e saj ja ka besuar Blendi Gonxhes.
Lidhur me këtë gazetari Klodian Tomorri në MCN Live u shpreh se ekonomia dhe Kultura nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën.
Ai tha se e vetmja pikë që i bashkon këto dy ministri janë pronat publike të shpallura monumente kulture. Ndërsa sa i përket inovacionit, Tomorri tha se do të jetë fronti që do të investimet më të masive publike.
Në pamje të parë ka ngjallur habi se cila është lidhja mes Kulturës dhe Ekonomisë. Kultura duket si pyka që s’ka lidhje në pamje të parë, megjithatë kabinetet qeveritare formatohen në funksion të filozofisë qeverisëse dhe kjo krijon një pikë ku kultura takohet me ekonominë dhe ajo pikë është prona publike të shpallura monumente kulture. Janë prona të lakmuara që gëzojnë statuse të mbrojtjes. Në korridoret e politikës ka pasur zëra për plane konkrete koncensionare për menaxhimin e këtyre pronave si Porto Palermo.
Është folur për një skenar të menaxhimit të përbashkët të atij të Butrintit, por dyshimet janë se mund të shkohet dhe më tej dhe ndoshta në atë justifikimin për të mirëmbajtur këto monumente dhe vepra, po ashtu për Porto Palermon ka pasur zëra dhe bisedime jo formale për plane në përfshirjen e sektorit privat, pra janë prona që bien nën ombrellën e kulturës dhe mesa duket bashkimi i këtyre dy sektorëve në një ombrellë të vetme rrit më shumë shanset që të shkohet në këto drejtime. Sa i përket inovacionit është një nga frontet që do ketë investimet më masive publike.
Më tej Tomorri theksoi se shteti do të marrë një pjesë të vogël të fitimit pasi pjesën më të madhe të tyre e merr privati. Sipas tij po qeveriset për të favorizuar interesa të caktuara të privatit dhe se në fokus nuk do të jetë më kultura por fitimi i parasë
Aty do prodhohet vlerë ekonomike, para, por shteti do të marrë një pjesë të vogël se kur thua që hyn sektori privat këto punë bëhen që të fitojë privati. Pra sa herë që krijohet një anomali siç është rasti i bashkimit të ekonomisë dhe kulturës në një dikaster të vetëm sigurisht që pas tyre ka një shkak që çon në këtë anomali. Po të shohësh nismat ligjore kanë pasur nga pas interesa të qartë ekonomike që kanë shkuar te një grusht njerëzish, nuk qeveriset për të mirën publike por për të favorizuar privatin.
Shteti sigurisht që ka nevojë për para, sigurisht që ne duam të kemi monumente kulture që janë më të mirëmbajtur por ne nuk duam monumente kulture që vihen në funksion të pasurimit të interesave private. Kjo e denatyron në thelb pasurinë kulturore duke ja vënë atë mekanizmave të tregut dhe ky udhëhiqet vetëm nga mekanizmi i fitimit. Nëse krijohet një institucion me qëllime fitimprurëse sigurisht që do ketë cedim të vlerave kulturore, por s’do të jetë më fokusi kultura por maksimizimi i fitimit dhe kultura do të jetë në plan të dytë.



