Shumë faqe internet që publikonin lajme të rreme antiKlinton e kishin bazën në Shqipëri dhe Maqedoni. Madje një faqe proSanders me 90 mijë ndjekës drejtohej nga një inxhinier elektronik shqiptar, i cili u intervistua nga “Huffington Post”. Vetë ai, sipas “The Guardian” fliste shumë pak anglisht, edhe pse faqja e tij publikonte vazhdimisht shkrime në anglisht.
John Mattes, një ish-hetues i Senatit tha se kishte zbuluar një koincidencë mes kohës së publikimit të lajmeve të rreme me aktivitetet online në Maqedoni.
Ai beson se pas këtyre publikimeve qëndrojnë rusët, të cilët sipas tij kanë krijuar lidhje në Europën Lindore për të krijuar faqe interneti të automatizuara. “Kjo është një mënyrë shumë efektive”, tha Mattes, duke shtuar se gjithçka funksionon edhe duke qëndruar në Shën Petërburg.
“Roli i lajmeve false duket se ka ndikuar në votën e shteteve si Uiskonsin, Miçigan dhe Pensilvani. Një valë lajmesh të rreme me origjinë Europën Lindore pushtoi fushatën presidenciale që në fazën e preliminareve. Sipas Mattes, i cili mbështeti kandidatin demokrat Bernie Sanders, lajmet e rreme nisën në mars të 2016-s. Në një periudhë 30-ditore këto lajme u shtuan vrullshëm. Edhe pse materiali ishte i pagjurmueshëm, u mësua se 40% e tij vinte nga Europa Lindore”, shkruan "The Guardian".



