
Nëse konfirmohet, dhe deri më tani kemi vetëm ministrinë ruse të mbrojtjes që e thotë, atëherë kapja e këtij qyteti jugor me pothuajse 300,000 banorë do të ishte një fitore e madhe për ushtrinë ruse.
Do të ishte qyteti më i madh që do të binte në duart e Rusisë dhe strategjikisht do të ishte një bazë jetike për ushtrinë, pasi ajo kërkon të shtyjë më tej në brendësi dhe në perëndim përgjatë bregdetit deri në qytetin e madh port të Odesës.
Kherson është në vetvete një port i rëndësishëm i Detit të Zi dhe një qendër industriale. Të kontrollosh Kherson do të thotë të kontrollosh gjithashtu një burim të madh uji.
Një nga objektivat e para të pushtimit ushtarak të Rusisë ishte zhbllokimi i asaj rruge ujore dhe rivendosja e furnizimit me ujë në Krime.
Ne e dimë se automjetet ruse hynë në qendër të qytetit Kherson gjatë natës. Kryebashkiaku Igor Kolyikhayev tha këtë mëngjes se qyteti kishte nevojë për një mrekulli.
Por nga ana tjetër Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka mohuar njoftimet se qyteti jugor Kherson ka rënë në duart e rusëve.
“Sipas informacioneve nga brigada jonë, betejat po vazhdojnë tani”, tha një zëdhënës i ministrisë. “Qyteti nuk është pushtuar plotësisht, disa pjesë janë nën kontrollin tonë”.
Media shtetërore ruse kishte raportuar më parë se trupat ruse kishin marrë kontrollin e plotë të qytetit.



