Liderët e Ballkanit Perëndimor po mbajnë në Tiranë Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus është zbatimi i Planit të Rritjes Ekonomike. Në fjalën e tij kryeministri Rama e vuri theksin te fakti që më vete shtetet e rajonit janë të vogla, por të bashkuar kanë një potencial të madh. Rama vuri në dukje rëndësinë e ecjes përpara drejt zonës së përbashkët të pagesave euro, drejt lehtësimit të tregtisë dhe transportit dhe tregut digjital.
Më vete jemi të gjithë të vegjël, por së bashku ne mbartim rëndësi e potencial të madh. Si mund të bëhemi më të lirë dhe më të mëdhenj në qoftë se kamionët tanë të eksport-importit duhet të presin ende 26 milionë orë në vit në kufijtë tanë rajonalë. Si mund të mos heqim barrierat jo tarifore dhe të humbasim vit pas viti një rritje potenciale me 3 për qind në vit vetëm duke e bërë këtë. A mos jemi të çmendur, dembelë, budallenj? A nuk është ende e qartë për gjithësecilin prej nesh që s’ka një rrugë të shkurtër në këtë rrugëtim dhe nuk ka drekë falas në BE. Respektimi i shtetit të së drejtës është një kusht i padiskutueshëm për të marrë fonde të reja dhe për të përfituar nga mundësitë brenda tregut të brendshëm të BE. Për të shfrytëzuar planin e ri të rritjes për 3 vitet në vijim duhet të ofrojmë rezultate të prekshme, jo vetëm së jashtmi, por edhe së brendshmi. Ka një sërë kushtesh që duhet të përmbushen nëse duam të marrin fonde shtesë që lidhen me planin e ri të rritjes. Do punojmë pareshtur me gjithë të tjerët për të ecur shpejt përpara drejt zonës së përbashkët të pagesave euro, drejt lehtësimit të tregtisë dhe transportit dhe tregut digjital”.
Në mesazhin e tij për liderët e rajonit Rama u shpreh se ose do të bashkëpunojmë, ose do të dështojmë në rrugëtimin tonë drejt BE-së.
"Me planin e rritjes domosdoshmëria është e qartë ose do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të ecur më pranë BE-së dhe njëri-tjetrit, ose do rrezikojmë të dështojmë për të zënë një vend në tryezën e BE dhe për t’u dhënë ekonomive dhe qytetarëve tanë një siguri për nevojat në vitet që vijnë. Ose e bëjmë së bashku, ose dështojmë së bashku. Ekonomitë tona nuk mund të lulëzojnë duke penguar lëvizjen e lirë të njëra tjetrës e as mund të sigurohet mirëqenie për qytetarët tanë pa instrumentet e paqes përtej kufijve, gjuhëve. Ose bëjmë paqe për të punuar për begatinë tonë, ose mungesa e kësaj begatie do të na bëjë të humbasim paqen, kështu funksionon BE, kështu duhet të funksionojë edhe Ballkani Perëndimor".



