4 persona janë arrestuar dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, pas përplasjeve mes aktivistëve të lëvizjes “Shqipëria Bëhet” dhe efektivëve të policisë. Mes personave që janë referuar materiale në Prokurori është drejtuesi i lëvizjes Adriatik Lapaj, i cili përfundoi në urgjencën e spitalit, pas përplasjeve me uniformat blu.
Gazetari Besmir Pula në një raportim për MCN Live bën me dije emrat e të arrestuarve, ndërkaq po ashtu raporton se një nga dy policët e lënduar ka thyer këmbën gjatë përplasjes me mbështetësit e “Shqipëria Bëhet”.
"Z.Lapaj dhe aktivistët e tjerë kanë nisur përplasjen që në orët e mesditës, pas tentativave të Policisë që të hiqnin çadrën dhe ngrohëset. Është bërë një ndërhyrje e dytë nga Policia në mesnatë. Lëvizja e policisë s’është pritur mirë nga protestuesit, që janë konfrontuar fizikisht me punonjësit e policisë. Ka disa persona të proceduar dhe disa të tjerë të arrestuar, dhe disa që kanë përfunduar te Trauma për të marrë mjekimin e nevojshëm. Fillimisht janë arrestuar 4 persona, Edision Haklaj, Alfred Matoshi, Eligert Hima, dhe Ergys Llanaj.
Krahas 4 të arrestuarve janë proceduar penalisht 6 shtetas të tjerë, duke e çuar në total 10 numrin e të procedurave dhe të arrestuarve, pasi dyshohet se kanë hedhur sende në drejtim të policisë, ku janë lënduar dy efektivë. Policia ka referuar materialet për Lapajn dhe dy të tjerë, ku i akuzon se kanë vendosur një çadër pa leje. Në total 13 persona janë proceduar penalisht. Një nga dy policët ka thyer këmbën gjatë përplasjes dje"
Në njoftimin e Policisë thuhet:
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1:
•arrestuan shtetasit E. H., 30 vjeç, A. M., 40 vjeç, E. H., 39 vjeç dhe E. Ll., 41 vjeç, si dhe referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit V. H., A. Sh., E. L., A. B., A. Sh. dhe M. Xh., pasi dje, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të protestës, kanë hedhur sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë. Si pasojë, u dëmtuan 2 punonjës policie, njëri prej të cilëve vijon ende në spital;
•referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit A. L., E. K. dhe A. P., pasi kanë pushtuar hapësirën publike përpara Kryeministrisë, duke vendosur një çadër dhe objekte të tjera, pa leje dhe në kundërshtim me urdhrin e punonjësve të Policisë”.



