
Partia Socialiste kërkon ndryshimin e ligjit “Për qeverisjen elektronike”, i cili rregullon funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Propozimi i projektligjit të ri mban emrin e deputetit Erion Malaj dhe vjen në një moment kur e gjithë vëmendja është përqendruar te skandali në këtë institucion.
Projektligji i ri parashikon ndryshime që prekin procedurat e tenderimit. Mes të tjerash, në ligjin e ri propozohet që “procedurat e prokurimit publik, përfshirë ato në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK), zhvillohen në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për prokurimin publik”.
Po ashtu, në ligjin e ri parashikohet krijimi i Shoqërive Operatore TIK, “shoqëri aksionere, ku shteti zotëron të paktën 51 për qind të aksioneve, e krijuar ose e autorizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për zhvillimin, operimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve, platformave dhe infrastrukturave të qeverisjes elektronike”.
Këtyre të fundit mund t’u kalohen në administrim sisteme, platforma ose infrastruktura TIK, ose të ngarkohen për operimin e tyre që në krye të herës, nën mbikëqyrjen dhe përgjegjësinë e AKSHI-t.
Lidhur me kontratat që lidhen me këto shoqëri, ligji i ri specifikon se “Pagesat që institucionet publike përfituese kryejnë ndaj shoqërive operatore TIK, në bazë kontratash shërbimi, nuk përbëjnë tarifa publike dhe rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për marrëdhëniet kontraktore dhe tregtare. ”



