Ministrja teknike e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina ka nxjerrë sot urdhërin për pezullimin nga detyra të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj ministrie, Plarent Ndreca.
Sipas urdhrit të ministres, thuhet se “në datë 8 qershor 2017 është regjistruar kallëzim penal ndaj shtetasve Plarent Ndreca dhe Dorina Laci të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës”. Këta shtetas dyshohet se kanë qenë të pranishëm në ambientet e shkollës së mesme “Shote Galica” Fushë Krujë në kohën kur aty po zhvillohej provimi i Maturës Shtetërore, të pa pajisur me autorizim nga autoritetet përkatëse”.
Kërkesa për pezullim vjen pas kallëzimit në prokurori ndaj Ndrecëc, të cilin ministrja Karabina e akuzon për shkelje të rënda ligjore të tij gjatë procesit të Maturës Shtetërore.
“Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Karabina për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të Maturës Shtetërore 2017, ka urdhëruar sot pezullimin e menjëhershëm nga detyra të Sekretarit të MAS, z Plarent Ndreca deri në përfundim të hetimeve të filluar nga organi i akuzës”, thuhet në njoftim.



