KE ka miratuar një grant prej 36 milionë eurosh për projektin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues të Instrumentit të Investimeve të Ballkanit Perëndimor, mekanizëm i Komisionit Europian. Shqipëria u përfaqësua në këtë mbledhje nga zv.ministrja e Integrimit, Erisa Xhixho.
Nga 10 projekte të paraqitura nga rajoni për investime u miratuan vetëm 3, ku Shqipëria ishte një prej 3 projekteve fituese me projektin Rehabilitimi i Hekurudhës Durrës-Tiranë dhe ndërtimi i hekurudhës me aeroportin e Rinasit. Totali i investimit do të jetë 90 milionë euro, ndërsa granti i përfituar 36 milionë euro. Projekti është me rëndësi strategjike, pjesë e Paketës Kombëtare të Projekteve Strategjike.
Projekti do të ristrukturojë dhe integrojë rrjetin hekurudhor shqiptar me rrjetin Europian. Ka një impakt të madh në axhendën e ndërlidhjes për Shqipërinë, pasi mundëson komunikimin e aeroportit dhe portin e Durrësit përmes korridorit Adriatiko-Jonian. Gjithashtu projekti ka impakt të prekshëm ndërrajonal përmes anëtarëve të SETTO (Maqedoni, Mali i Zi, Bosnjë, Serbi, Kosovë) dhe përmes Korridorit 8 me vendet anëtare të BE (Greqi, Bullgari) si dhe me Turqinë dhe më gjerë.
Në Komitetin Drejtues u miratuan projekte të cilat janë pjesë e Paketës Kombëtare të Projekteve Strategjike. Ato konsistojnë në dhënien e asistencës teknike si dhe për herë të parë në projekte të cilat lidhen drejtpërsëdrejti me investimet.
Për Shqipërinë, u miratuan 3 projekte ndër të cilat 2 projekte konsistojnë në dhënien e asistencës teknike, me specifikisht:
Projekti i zbatimit për bypassin e Tiranës. Totali i investimit 133 milionë euro. Granti i përfituar 1.5 milionë euro. Projekti është pjesë e Paketës Kombëtare të Projekteve Strategjike që Këshilli Kombëtar i Investimeve ka miratuar.
U miratua gjithashtu Projekti i zbatimit për rehabilitimin e linjës hekurudhore Vora Hani i Hotit. Totali i investimit 127 milionë euro. Granti i përfituar 4.5 milionë euro. Projekti është pjesë e Paketës Kombëtare të Projekteve Strategjike dhe pjesë e Core Netëork. Projekti do shërbejë si pikë strategjike në ndërlidhjen ndërkufitare.



