Një pakujdesi gjatë komunikimeve në telefon e kryer nga ish-polici privat, Fation Xhyliu, ka bërë që i gjithë grupi i dy supergrabitjeve në rrugën e Rinasit të zbulohej nga policia, raporton “Panorama”. I riu nga Lushnja ishte i pari që u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, për shkak se qelizat e telefonit e lidhnin me vendin ku ndodhi grabitja e 3.2 milionë dollarëve.
Ai rezistoi thuajse 3 ditë, duke mohuar gjithçka para hetuesve, por në fund ai u dorëzua dhe bashkëpunëtorët e tij në dy grabitje u identifikuan. Duke mos pasur më asnjë alibi të besueshme për të justifikuar prezencën e tij në vendngjarje, ditën kur ndodhi grabitja, 33-vjeçari Fation Xhyliu ka pranuar se ka marrë pjesë në grabitje, duke thënë se nuk ka qëlluar me armë, por thjesht ka qenë në vëzhgim. Më pas, zbardhja e tabulateve të tij telefonike ka provuar lëvizjet e tij dhe të bashkëpunëtorëve, duke zbuluar fillimisht vendndodhjen e të dyshuarve, e më pas identifikimin e tyre. Pas tri ditësh i shoqëruar në polici, vetëm dje ish-polici privat ka nisur të flasë në një dëshmi që është marrë nga ana e Prokurorisë. Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se Fation Xhyliu ka qenë punonjës i shoqërisë private të sigurisë fizike “Rogat Security”, e cila shoqëronte rreth 3 milionë euro të një banke që u grabitën më 3 dhjetor 2015. Ndërsa aktualisht ishte i papunë, por edhe pse nuk u arrit të identifikohej si i dyshuar, duke qenë se më parë kishte qenë polic privat, i dinte mirë lëvizjet e ish-kolegëve.



