Afera e inceneratorëve ka qenë ndër temat më të diskutuara në media dy ditët e fundit pas arrestimit të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka. Analisti Arjan Çani tha nga studio e lajmeve të MCN TV se ka dyshime që kjo të jetë çështje vetëm e Kokës.
“Janë kaluar mbi 14 firma brenda 8 orëve që ti jepet drejta jeshile hapjes së inceneratorëve dhe kjo tregon se nuk mundet asnjë ministër për ta bërë këtë. Ka qenë me urdhër”, u shpreh Çani duke thënë se Rama e ka vërtetuar se nuk mban përgjegjësi për vartësit e tij.
Sipas Çanit nëse do ishte një SPAK me standarde të tjera dhe i pa ndikuar nga politika në vendin tonë do të ishte bërë “kasaphanë juridike” për çështjen e inceneratorëve. Por sipas tij SPAK ka një regji, butonat e së cilës i lëviz kryeministri Rama.
Intervista:
Cani, Ahmetaj tha se përballja e Lefter Kokës me drejtësinë është çështje individuale. Është kështu?
Çani: Zyrtarisht kështu do tentojë të kalojë kjo çështje. Fakti që është prezantuar kështu në SPAK do të thotë se do ti vihet kapak. Unë dyshoj se kjo është një çështje e Kokës dhe mund t’jua provoj. Janë kaluar mbi 14 firma brenda 8 orëve që ti jepet drejta jeshile hapjes së inceneratorëve dhe kjo tregon se nuk mundet asnjë ministër për ta bërë këtë. Ka qenë me urdhër. Problemi është ky që nuk e provon dot zyrtarisht. A do ta marrë përsipër Koka gjithë këtë aferë? Mendoj se nuk mund të jetë aferë individuale, është shumë më shumë se kaq. Ky nuk është vend me standarde demokratike. Sikur kjo të plaste në Kosovë apo MV do kishte rënë qeveria. Mjafton që hidhet një akuzë e tillë për abuzim me fonde publike, ndërkohë që deri tani nuk ka asnjë reagim.
Sot kryeministri duke iu përgjigjur një komentuesi vazhdon të flasë për baltë dhe zhurmë që nuk e bën dot pis investimin e inceneratorëve.
Çani: Rama nuk lë gjurmë, fare. Berisha nuk lë gjurmë. Nuk kanë prova faktike. Rama na ka vërtetuar se nuk mban përgjegjësi për vartësit e tij. Rama para se të marrë ministrat në punë bën një marrëveshje që nëse kapeni mbani vetë përgjegjësi. Në vendet ku tentohet të funksionojë demokracia qeveria do të binte e gjitha. Do kalohej në zgjidhje të reja. Këto ndodhin në vende të botës së tretë ku demokracia nuk njihet. Këtu tek ne përgjegjësia mbetet në një individ. Nëse do ishte një SPAK tejtër këtu do ishte bërë kasaphanë juridike.
Kjo nuk është hera e parë që zotit Rama i duhet të japë shpjegime për ministra apo ish-ministra apo funksionarë që kapen në afera korruptive. Kujtoj këtu rastin e Tahiri, Vangjush Dakos apo kryebashkiakut të Lushnjës. Për të tre këta që përmenda ka mbajtur qëndrime të ndryshme, dikë e ka mbrojtur, dikë e ka lëshuar. Me çfarë standardi operon zoti Rama?
Çani: Rama nuk ka standarde, halli hallit nuk i ngjat, ai vepron sipas rastit. Ka një lidhje me ty të mban, s’ka të lëshon. Mendoj që kjo është vetëm maja e ajsbergut dhe do duhej një guxim i madh i drejtësisë për ta zbardhur, por drejtësia është një zgjatim i politikës. Koka ishte me LSI dhe shkoi me PS dhe një tradhtar politik duhet dënuar. Nëse do ti shkohej thellë kësaj do dilte që nuk është ai koka.
Pse duhet të ketë reagime, kush i bën presion kryeministrit. Rama me mjeshtëri ka arritur të kontrollojë gjithçka. Rama s’ka anjë presion, në një vend tjetër qeveria do kishte rënë. Ne jemi një vend me guvernator dhe CEO.
Mendoni se kjo lëvizje e SPAK ka kontekst politik, pra taksa i kërkohej të vepronte për Berishen godet në krahun e kundërt për një aferë të denoncuar fort nga opozita e Lulzim Bashes?
Çani: Duket që ka një regji SPAK, është dikush që i lëviz butonat dhe përveç Ramës nuk shoh njeri tjetër. Është i mbështetur nga oligarki ndërkombëtare. Një ogur jo i mirë ishte duke i ardhur Kokës, ai fitoi dhe la mandatin, u mor vesh që Koka duhej sakrifikuar si i asgjë, si i larguar.
Si e patë vizitën në grup të ambasadoreve ne selinë e PD, e forcon apo jo Lulzim Bashen?
Çani: Patjetër, por është mbështetje diplomatike. Problemi që ka Basha sot edhe Biden po të vinte nuk e shpëtonte sepse ka një problem që ka nevojë për mbështetje popullore. Sa më shumë janë të zhgënjyer demokratët dhe të shohin zyrtarë aq më kundër Bashës bëhen. Ja iku Berisha nesër këta njerëz do kthehen te Basha? Unë mendoj se jo. Basha do kishte për një gjë nevojë, ai duhej të përballej në votim me Berishën.
Zëra afër zotit Basha flasin për një vendim që pritet të merret për përjashtimin nga Partia të Sali Berishës. Mund të provokojë ky vendim përshkallëzim të përplasjes mes dy palëve?
Çani: Patjetër, Basha duhet ta kishte përjashtuar Berishën me kohë, nuk di pse e ka vonuar. Në këtë moment gjithë loja nuk është më në fushën e Bashës, por në të Berishës. Tani Basha mund të bëjë gjithçka por nuk ka vlerë. Nëse Basha do rrijë në seli edhe pas datës 18 do mendojmë se Berisha ka filluar të bjerë. Pasojat e kësaj që po ndodh tani në PD do ti ndjejmë vite më vonë.
Basha e akuzoi Sali Berishën edhe për 21 Janarin. Duhet thirrur ai si dëshmitar në Prokurori?
Çani: Unë them duhet ta thërrasin patjetër edhe pse Basha ka me vete nomeklaturën. Mendoj se edhe Berisha duhet të shkojë edhe pse kjo drejtësi nuk është gjë tjetër veçse zgjatim i politikës në mënyrë represive.



