Ndërtesat ku banojnë shqiptarët si dhe ato ku funksionon administrata publike dhe private do t’i nënshtrohen testit të efiçensës së energjisë elektrike. Qeveria shqiptare ka përgatitur ligjin i cili nga 2028 parashikon që çdo objekt të kaloj në testim.
Afro 800 mijë banesa dhe apartamente të shqiptarëve, por jo vetëm. Shtuar edhe godinat publike e ato të bizneseve do ti nënshtrohen brenda vitit 2028 testit të efiçensës së energjisë.
Është ky plani i qeverisë shqiptare e cila nëpërmjet një drafti synon 2026 si afat për të gjitha godinat publike e pas dy viteve dhe ato të shtetasve që sot përdoren si apartamente në pallate ekzistuese apo të reja.
Referuar CENS 2023 sipas të dhënave siguruar nga emisioni FactCheck rezulton se nga 755.531 njësi të numëruara, 37.5 % e tyre janë ndërtuar ndërmjet viteve 1981-2000, 26.1 % përpara vitit 1981 dhe pjesa tjetër prej 36.4 % pas vitit 2001.
Mbi 60 % e këtyre objektivave ku sot banojnë shqiptarët, referuar Instat datojnë të ndërtuara përpara viteve 2000 kohë në të cilën teknologjia e përdorur apo efiçensa e energjisë as që mendohej në Shqipëri.
Cili është qëllimi i këtij projektligji që synon qeveria të miratojë?
Në relacion thuhet “Ky projekt-ligj ka për qëllim promovimin dhe përmirësimin e performancës energjetike të ndërtesave dhe reduktimin e emetimeve të gazeve serrë të shkaktuara nga stoku i ndërtesave në Republikën e Shqipërisë, duke konsideruar kushtet klimatike të jashtme, kushtet lokale, kërkesat për cilësinë e mjedisit të brendshëm, nivelin optimal të kostos duke synuar në stok ndërtesash pa emetime deri në vitin 2050”.
Ndër përparësitë e tij janë listuar
1. Reduktimi i Emetimeve: Duke vendosur standarde për performancën energjetike, direktiva ndihmon në uljen e emetimeve të CO2, duke kontribuar në luftën ndaj ndryshimeve klimatike.
2. Kursimi i Energjisë: Përmirësimi i efiçencës energjetike në ndërtesa do të rezultojë në kursime të konsiderueshme energjie, duke ulur kostot për konsumatorët dhe duke zvogëluar varësinë nga burimet fosile.
3. Shëndeti dhe Komoditeti: Ndërtesat me energji efiçente ofrojnë kushte më të mira për jetesë, duke përmirësuar shëndetin dhe komoditetin e banorëve.
4. Nxitja e Investimeve: Kërkesat për standarde më të larta do të nxisin investime në teknologji të reja dhe materiale ndërtimi, duke stimuluar ekonominë lokale.
Ligji ka si kusht që “Ndërtesat Ekzistuese që i nënshtrohen rinovimit të konsiderueshëm duhet të përmbushin kërkesat minimale të performancës energjetike.
• Elementët ndërtimore që riparohen ose zëvendësohen duhet të respektojnë këto kërkesa për aq sa është e mundur teknikisht dhe ekonomikisht.
• Autoritetet lokale duhet të garantojnë përmbushjen e kërkesave për ndërtesat që aplikojnë për leje ndërtimi.



