PS dhe PD e Rithemelimit arritën sot dakordësinë për ngritjen e dy komisioneve hetimore, një me fokus koncesionet në shëndetësi, dhe tjetrin për rrjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS. Gazetari Mariglen Kume bën me dije në një raportim për MCN Live se po ashtu është arritur dakordësia për ngritjen e një nënkomisioni që do të diskutojë ndryshimet sa i përket Kodit Zgjedhor. Komisioni për Reformën Zgjedhore sakaq mund të konsiderohet i dështuar, pasi i përfundon afati më 21 mars dhe nuk do ketë shtyrje të mëtejshme.
Pas një periudhe 5-mujore pritet një normalitet në Parlament, pasi është arritur dakordësia mes mazhorancës dhe opozitës të drejtuar nga Berisha dhe Bardhi. Dy palët kanë rënë dakord që të ngrihet një komision për koncesionet në shëndetësi dhe një komision mbi rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS. Do të jetë z.Bardhi dhe znj. Klotilda Bushka të cilët do të ulen për të caktuar objektin e punës që do kenë dy komisionet. Po ashtu është rënë dakord që të ngrihet edhe një nënkomision në Komisionin e Ligjeve me 4 anëtarë, ku dy do zgjidhen nga z.Çuçi dhe një nga z.Bardhi. Një nga anëtarët nga radhët e opozitës do jetë z.Oerd Bylykbashi, ndërsa pritet të zgjidhet nga grupi parlamentar i PD një anëtar tjetër. Ky nënkomision do të diskutojë nëse do ketë ndryshime të tjera sa i përket Ligjit Zgjedhor. Komisionit të Reformës Zgjedhore i përfundon afati më 21 mars dhe nuk pritet të ketë një shtyrje tjetër. Mund ta konsiderojmë të dështuar Komisionin për Reformën Zgjedhore dhe kalimin e punës në një nënkomision. Për të detajuar objektin e punës së komisioneve sot do takohet Gazment Bardhi dhe Klotilda Bushka, për të bërë të qarta detajet e komisioneve. Ka një tërheqje nga opozita për komisionin hetimor për çështjen McGonigal”.



