
Qarkullimi në rrugët e vendit vështirësohet në këto ditë me shi, ndërkohë që ngricat kanë filluar të mbulojnë disa akse të vendit. Klodian Sava, drejtor i Mirëmbajtjes së Rrugëve në një intervistë për MCN TV tha se ka pasur problematika në disa akse, por shtoi se ndërhyrja është bërë në kohë rekord dhe se Autoriteti Rrugor i ka marrë masat me kohë për ti paraprirë situatave.
I pyetur lidhur me situatën e një nate më parë ku si pasojë e reshjeve të dëborës u bllokua Qafa e Murrizit, Sava tha se ai aks është nën kujdesin e kompaninë koncensionare, por shtoi se për bllokimin ka pasur papërgjegjshmëri të përdorimit të mjeteve jo të duhura, pa zinxhirë dhe pa goma dimri. Këto sipas Savës kanë krijuar anomali dhe vonesa.
Intervista:
E nisim me situatën e krijuar në qafën e Murrizit. Shumë qytetarë mbetën të bllokuar prej disa orësh, pse nuk ishin marrë masa për të zhbllokuar në kohë aksin?
Sava: Akset kryesore të vendit mirëmbahen me kontrata mirëmbajtje nga Autoriteti Rrugor. Situata në vendin tonë nuk paraqitet problematike. Ka pasur problematika në disa akse por ndërhyrja është bërë në kohë rekord. Autoriteti Rrugor i ka marrë masat me kohë për ti paraprirë situatave.
Pse nuk iu parapri aksit në Qafën e Murrizit?
Sava: Ai aks është nën kompaninë koncensionare i cili kujdeset. Aty ka pasur papërgjegjshmëri të përdorimit të mjeteve jo të duhura dhe pa zinxhirë. Këto krijojnë anomali dhe vonesa për aksesimin.
Dje u hap një pjesë e Rrugës së Arbrit, ende e papërfunduar. Si do të bëhet mirëmbajtja e këtij aksi të rëndësishëm, a ka një plan?
Sava: Ky është një aks specifik. Ajo ka një kontratë mbi bazë PPP dhe bën mirëmbajtjen e atij aksi. Por kontratat kanë një plan të detajuar që kontraktorët janë të detyruar ta zbatojnë. Ne kemi pasur ndërhyrje në kohë rekord nga nënkontraktorët që mbikëqyr ARR. Nuk kemi pasur problematika në qarkullimin e automjeteve.
Opozita ngre shqetësimin se do të kërkohet 8 euro për kalimin e kësaj rruge?
Sava: Unë nuk mund të shtoj më tepër se sa ka ofruar Ministria e Kulturës dhe ARR.
Ka një paqartësi sa i përket detyrimeve që kanë kompanitë që mirëmbajnë akse të caktuara. Kur në shkurt të këtij viti u bllokua për shkak të ngricave rruga Milot-Lezhë, kompania përgjegjëse tha se kontrata nuk parashikonte pastrimin e dëborës. Pse lejohen të kalojnë këto mangësi kur hartohen kontratat?
Sava: Nëse i referohen situatës vjet ka qenë situatë e jashtëzakonshme e pa ndodhur 10 vitet e fundit. Kontratat e tjera kanë të përcaktuara mirëmbajtjen. Ne kemi raste pa fund ku ka raste të motit ekstrem që është e pamundur përballimi në situata të tjera. Kontraktorët tanë në bazë të kushteve kontraktuale mbulojnë edhe mirëmbajtjen dimërore. Janë të mirëpërcaktuara vendgrumbullimet e skorjeve, inerteve etj. Në çdo moment sjella dhe reagimi ndodh në varësi të emergjencës.
Është shumë e rëndësishme që në situatat që ndodhemi. Ne kemi disa akse mjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimri ose me zinxhirë dhe të ndiqen informacionet që jepen nga shtypi apo nga policia.



