
Besimtarët myslimanë bektashianë kremtojnë sot Ditën e Sulltan Novruzit, ditëlindjen e të madhit Imam Aliu, e cilësuar në botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe e ringjalljes së madhe.
Festa e Sulltan Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas sektit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe. Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
Në Shqipëri Dita e Sulltan Novruzit, festa më e rëndësishme e bektashizmit, u dekretua si festë kombëtare në vitin 1996.
Në vendin tonë sekti i bektashinjve, është i vendosur kryesisht në jug të vendit, ndërkohë që ai ka një shtrirje të konsiderueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Bektashinjtë janë të përhapur në Kosovë dhe në Maqedoni, ku krahas sunitëve ata përbëjnë popullsinë shqiptare të besimit mysliman.
Përfaqësuesit e bektashizmit kanë dhënë një ndihmë të madhe në çështjen kombëtare, duke filluar që nga periudha e Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe gjatë luftës për Çlirim.
Për nder të kësaj dite, amvisat bëjnë një byrek të veçantë për këtë ditë, pasi në harxhë futen 12 gjethe lakrash të llojeve të ndryshme dhe një monedhë metalike.
Në darkë për pjesëtarët e familjes nxirret përpara byreku, që ndahet në aq pjesë sa anëtarë janë. Zonja e shtëpisë përpara se të nisë zgjedhjen e pjesëve, lutet për fatet e pjesëtarëve të familjes dhe më pas, secili zgjedh pjesën e vet. Ai që gjen monedhën (lekun), duhet patjetër që të blejë për shtëpinë një kilogram kripë, pasi parashikon një vit të mbarë.
Ndërsa mbaron ky rit, familjet bektashiane në shenjë respekti e shpërndajnë një pjesë të byrekut nëpër familje kristiane.



