Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike, Indrit Sefa, për pezullimin nga Gjykata e Tiranës së çështjes për shqyrtimin e kërkesës së Lulzim Bashës lidhur me miratimin e Kuvendit Kombëtar të 2 shtatorit, duke pranuar kërkesën e grupit të deputetëve të drejtuar nga Gazment Bardhi, thotë se nuk cenon vendimmarrjen e Kuvendit.
Nga studio e MCN Live, ai deklaroi se këtë rrugë e ka hapur Gjykata e Apelit, në mars 2023, ku është thënë qartë se kërkesat e depozituara më parë duhen shqyrtuar më parë.
Palët e tjera vepruan gabim, se nëse kanë pretendime për mënyrën e thirrjes së Kuvendit, duhet të kërkonin shqyrtimin e çështjes deri në fund.
Kjo nuk e cenon as vendimmarrjen e Kuvendit, as ndryshimet statutore, ata duan që të shqyrtohet në një kohë të mëvonshme.
Kur të duan ne jemi gati që tu përgjigjemi në çdo kohë. Ndryshimet statutore në PD hyjnë në fuqi menjëherë. Gjykata ka vetëm rol verifikues, në momentin që ka ndryshime.
Nuk i hyn mënyrës se si janë bërë këto ndryshime, por nëse janë në përputhje me Kushtetutën dhe nëse janë bërë në bazë të dispozitave të statutit.
Vendimi i gjykatës është formal, nuk cenon vendimmarrjen e Kuvendit. PD nga ana e procedurave ligjore, është në avantgardë.
Palët e quajtën arritje të madhe, nëse e donin si të tillë, duhet të kërkonin shqyrtimin e çështjes.
Lidhur me aksionin opozitar të Rithemelimit, deklaroi se ka dy muaj që nuk lejohet të zhvillohet një seancë normale parlamentare, teksa diskutohet dhe buxheti, ndërkohë që PD del në konferenca për buxhetin, në një kohë që debati duhet të bëhej në komisionet parlamentare dhe në seancat parlamentare.
Për komisionet hetimore që kërkohen nga “Rithemelimi”, Sefa i cilësoi si sebepe.
Gjyqtari Niko Rapi, konstatoi se pa u zgjidhur konflikti që është në Gjykatën e Lartë mbi Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, nuk mund të zhvillohet dhe të konsiderohet i vlefshëm asnjë Kuvend Kombëtar i mëpasshëm apo statut i ndryshuar.
Në këtë mënyrë statuti i dalë në 2 shtator, përmes të cilit Lulzim Basha u caktua edhe kryetar i grupit parlamentar nuk njihet nga gjykata.



