Një shqiptare në Itali kërkon dëmshpërblim 200 mijë euro për vrasjen e vëllait të saj, ngjarje e ndodhur në vitin 2006 në shtëpinë e politikanit Michelangelo Rizzi, ish-këshilltar i “Lega Nord” në Castelnuovo.
Mediat italiane shkruajnë se Gentjana Kaja, është motra e Dritan Osmanit, 23-vjeçari i cili mbeti i vrarë nga Rizzi natën e 27 janarit të 2006-s.
Italiani dëgjoi zhurma jashtë shtëpisë dhe zbriti në katin e parë duke marrë me vete edhe një pistoletë. Ai pikasi një person duke u përpjekur të hynte nëpërmjet një dritareje të vogël.
Pavarësisht paralajmërimit se kishte armë, personi që kishte shkuar për ta grabitur nuk u tërhoq. Kjo bëri që shtetasi italian ta qëllonte për vdekje me dy plumba.
Rrizi u dënua me dy vjet e gjysmë burg për vrasje duke tejkaluar limitet e mbrojtjes së ligjshme, ndërsa në Gjykatën e Apelit ai u dënua me vetëm tre muaj burg.
Në vitin 2011, ai shiti banesën e tij për t’u zhvendosur në Spanjë. Por, e motra e Dritanit ka paditur jo vetëm Rizzi-n, por edhe çiftin që ka blerë shtëpinë ku ndodhi vrasja. Seanca është caktuar për më 10 korrik.



