
Pranimi i Ukrainës në NATO mbështetet nga krerët e nëntë vendeve anëtare europiane të aleancës, me një deklaratë të përbashkët të lëshuar të dielën duke u bërë thirrje vendeve të tjera anëtare të përforcojnë Kievin me pajisje ushtarake.
Konkretisht, krerët e qeverive të Republikës Çeke, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë publikuan një deklaratë të përbashkët të dielën.
Deklarata vuri në dukje se liderët e këtyre vendeve “vizituan Kievin gjatë luftës dhe panë me sytë e tyre efektet e agresionit rus”.
Në të njëjtën kohë, krerët e vendeve shprehën mbështetjen e tyre për “vendimin e samitit të NATO-s në Bukuresht në 2008 në lidhje me pranimin e ardhshëm të Ukrainës në Aleancë”.
Ne, presidentët e Europës Qendrore dhe Lindore, shtete, liderët e të cilave vizituan Kievin gjatë luftës dhe panë me sytë e tyre pasojat e agresionit rus, nuk mund të heshtim përballë shkeljes flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga Federata Ruse dhe për këtë arsye ne lëshojmë deklaratën e mëposhtme:
Ritheksojmë mbështetjen tonë për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne nuk i njohim dhe nuk do të njohim kurrë përpjekjet ruse për të aneksuar ndonjë territor ukrainas.
Ne mbështesim me vendosmëri vendimin e samitit të NATO-s 2008 në Bukuresht në lidhje me anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës.
Ne mbështesim Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus, kërkojmë që Rusia të tërhiqet menjëherë nga të gjitha territoret e okupuara dhe inkurajojmë të gjithë aleatët që të rrisin ndjeshëm ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën.
Të gjithë ata që kryejnë krime duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të dalin para drejtësisë.



