Pas markave më të mëdha në botë ka histori të errëta. Emrat më të mëdhenj të biznesit në nivele ndërkombëtare kanë sekrete të pathëna rreth origjinës së tyre. Detajet janë përshkruar në librin “Historia sekrete e markave/ Fillesat e errëta të markave më të mëdha që njohim”, me autor Matt McNabb.
Pija e preferuar në të gjithë botën, “Coca-Cola”, ishte me kokainë kur u krijua në fund të viteve 1800 si një alternativë ndaj morfinës dhe varësisë që ajo krijonte. Megjithatë, sasia e kokainës në pije krijonte po aq varësi sa morfina.
Emri i “Hugo Boss” sot na sjell përpara syve meshkujt e veshur bukur, por në fillesat e saj kjo markë gjermane ishte mbështetëse e Partisë Naziste dhe ka prodhuar uniformat e trupave të Gestapos, duke shfrytëzuar punën e 1241 të burgosurve.
Henry Ford, themeluesi i “Ford Motor Company” që prodhoi makinën e parë Model T në 1908-n, ishte antisemit i njohur dhe shprehte shpesh bindjen se një konspiracion hebre i niveleve ndërkombëtare do të rrëzonte Amerikën.
Gjigantët gjermanë të veshjeve sportive “Adidas” dhe “Puma” prodhuan këpucë që u përdorën nga ushtarët nazistë në Luftën e Dytë Botërore. Vëllezërit që themeluan këto kompani ishin anëtarë të Partisë Naziste të Hitlerit.
Coco Channel, stilistja e njohur në mbarë botën, ishte jo vetëm mbështetëse e ideve të nazizmit, por edhe spiune për llogari të tij.
Shpikësi i drithërave “Kellogg's”, dr.John Kellogg ishte puritan i bindur dhe mbështeste hapur abstinencën seksuale.



