Dalai Lama do të mbajë një fjalim në një takim të madh tre-ditor të figurave fetare budiste këtë javë, përpara ditëlindjes së tij të 90-të, ndërsa ithtarët e tij presin që udhëheqësi shpirtëror tibetian të japë detaje rreth trashëgimisë së tij, diçka që mund të mërzisë Kinën.
Pekini e sheh Dalai Lamën, i cili iku nga Tibeti në vitin 1959 pas një kryengritjeje të dështuar kundër sundimit kinez, si separatist dhe thotë se do ta zgjedhë Kina pasardhësin e tij.
Dalai Lama ka thënë se pasardhësi i tij do të lindë jashtë Kinës dhe u ka kërkuar ithtarëve të tij të refuzojnë këdo që zgjedh Pekini.
Budistët tibetianë besojnë se murgjit e ndriçuar rilindin për të vazhduar trashëgiminë e tyre shpirtërore. Dalai Lama i 14-të do të mbushë 90 vjeç të dielën dhe ka thënë se do të konsultohet me murgj të lartë për të ndarë të dhëna të mundshme se ku mund të jetë pasardhësi pas vdekjes së tij.
“Pjesën tjetër të jetës sime do ta kushtoj në dobi të të tjerëve, sa më shumë që të jetë e mundur, sa më gjerësisht të jetë e mundur”, tha Dalai Lama në një tubim me ndjekës të hënën, ndërsa ata luteshin për jetëgjatësinë e tij.
“Do të ketë një kornizë brenda së cilës mund të flasim për vazhdimësinë e institucionit të Dalai Lamës”, tha ai, por pa dhënë hollësi.
Ai më parë ka deklaruar se mund të rimishërohet në Indi, ku jeton në mërgim pranë qytetit të Dharamsala në Himalajet veriore. Ai u njoh si rimishërimi i paraardhësit të tij kur ishte dy vjeç.
Dolma Tsering Teikang, zëvendëskryetare e Parlamentit Tibetian në mërgim në Dharamsala, tha se ishte e rëndësishme që bota të dëgjonte drejtpërdrejt nga Dalai Lama për këtë çështje.
Kina po përpiqet ta uzurpojë këtë instituciob për qëllimet e saj politike. Ne duam që mishërimi i Dalai Lamës të lindë jo vetëm për mbijetesën e Tibetit si një kulturë, fe dhe komb i veçantë, por edhe për mirëqenien e të gjithë njerëzimit.
Thupten Ngodupe, kreu i orakullit tibetian, tha se zakonisht diskutime të tilla rreth rimishërimit nuk zhvillohen kur një murg është ende gjallë, por gjërat janë ndryshe tani, kryesisht sepse “qeveria kineze po ndërhyn”.
Pekini tha në muajin mars se Dalai Lama është në mërgim politik dhe nuk ka të drejtë të përfaqësojë popullin tibetian.
Kina ka thënë se është e hapur për të diskutuar të ardhmen e tij nëse ai pranon se Tibeti dhe Tajvani janë pjesë të patjetërsueshme të Kinës, një propozim që qeveria tibetiane në mërgim e ka hedhur poshtë.
Në konferencën fetare të kësaj jave, e cila mbahet për herë të parë që nga viti 2019, do të marrin pjesë më shumë se 100 udhëheqës budistë tibetianë dhe do të përfshihet një deklaratë e filmuar nga Dalai Lama.
Ylli i Hollivudit Richard Gere, një ndjekës i hershëm i budizmit tibetian, do të jetë midis të pranishmëve, thanë organizatorët.



