Anëtari i Komisioni Rregullator pranë KQZ dhe eksperti për çështjet zgjedhore Dritan Çaka, duke folur në MCN Live mbi sistemin elektronik të votimit dhe numërimit tha se ai mund të implementohet në dy qarqe në zgjedhjet e 2025-ës. Çaka vuri në dukje se niveli i shtrirjes së votimit dhe numërimit elektronik do të varet nga fondi që do të vendosë qeveria në dispozicion lidhur me procesin. Sa i takon pretendimeve për afro 80 parti fiktive në Shqipëri, Çaka theksoi se duhet ndryshuar ligji për partitë politike. Në gjykimin e tij personal do ishte më mirë që partitë të regjistroheshin përmes gjykatës, ku të verifikohej edhe anëtarësia, në mënyrë që shmangeshin probleme të ngjashme si me PD-në. Lidhur me votimin dhe numërimin elektronik, eksperti tha: “Ajo që ndodhi në këto zgjedhje provoi që sistemi elektronik ka rezultuar i suksesshëm dhe shkurtoi kohë në nxjerrjen e rezultatit. Në 2025 mund të aplikohet shtesa në realizimin e këtij procesi. Nga qeveria duhet të përcaktohen fondet për të përcaktuar sa do jetë niveli i shtrirjes. Për zgjedhjet e 2023-shit u blenë 700 pajisje të votimit elektronik që kanë kushtuar 22-23 milionë euro dhe duke bërë një matematikë të thjeshtë që sa mund të duhen, nëse do bëhet në gjithë Shqipërinë do duhen 10 mijë pajisje dhe kostoja është shumë e madhe për ta shtrirë në gjithë Shqipërinë. Për ta bërë në gjithë Shqipërinë momentalisht është shumë e vështirë sepse kostoja është marramendëse. Besoj që në dy qarqe mund të jetë e mundur. Mbase në dy qarqe jo të mëdha. Ose të bëhet komplet qarku i Tiranës. Çdo veprim që mund të marrë KQZ është i diktuar nga qeveria, sa do jenë fondet që do lëvrojë qeveria për këtë proces. Janë bërë disa propozime edhe për qeverinë. Në varësi të buxhetit që qeveria do vërë në dispozicion të KQZ për këtë çështje. Janë 3-4 opsione nga KQZ në tavolinë që kanë kosto të ndryshme financiare. Është e vërtetë që ka pasur disa akuza, që kanë pjesë e ankimimeve. Por përtej akuzave nga KQZ s’ka as më të voglin informacion apo indicie që mund të ketë pasur procese të deformuara në bashkitë ku është bërë ky votim. Duhet të jenë të paktën 1 vit përpara këto fonde, sepse KQZ do bëjë procedura prokurorimi, duhet të testohen. Nuk duhet të lihet çdo gjë në moment të fundit. Por nuk ka një afat të përcaktuar fiks. Afati 1-vjeçar është afati i përgjithshëm që kërkohet nga të gjitha palët për të përgatitur procesin”. I pyetur mbi 80 partitë fiktive dhe propozimin e deputetit Petro Koçi për ndryshimin e ligjit, Çaka u shpreh: “Në vlerësimin tim duhet të ndryshojë ligji për partitë politike, dhe të gjithë aktorët politik dhe jo politik janë dakord. Por fakti është që askush s’po e merr iniciativën, qoftë nga mazhoranca, qoftë nga opozita, për propozime konkrete që të japin efekte në 2025-ën. Ka shkuar fleta e votimit në ekstrem për të përfshirë të gjitha partitë politike. Unë mendoj se kërkon një ndryshim ky ligj. Unë do mendoja që realizimi i regjistrimit të partive politike pranë gjykatave do ishte më i mirë për verifikimin edhe të anëtarësisë. Problematika që ka ndodhur këto 1 vit e gjysmë dhe përplasjet brenda PD kanë treguar që mund të ketë probleme edhe në drejtimin e partive politike. Sado i pavarur të jetë KQZ, mund të ketë gjithmonë interpretime. Gjykata është organi i duhur dhe kompetent që çdo lloj mosmarrëveshje që të lindi ta zgjidhi ajo. Kjo që ndodhi në PD mund të krijojë eksperiencë të keqe edhe në parti të tjera. Vendimi i gjykatës është i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjithë”. Lidhur me financimin e partive politike në zgjedhje dhe mundësinë e votimit të emigrantëve në 2025-ën, Çaka u shpreh: “Është e vërtetë që ka shumë problematika në lidhje me financimin e partive politike në zgjedhje. Kuadri normativ është më i ploti, jemi munduar të fusim sa më shumë elementë verifikues për shpenzimet zyrtare të partive politike, por shpenzimet jo zyrtare është e vështirë të verifikohen. Ndryshimi i ligjit të partive politike është thelbësor edhe për minimin e kësaj situatë. Jemi në kohën e duhur për të realizuar procesin e votimit të qytetarëve që jetojnë jashtë Republikës së Shqipërisë. E theksoj me forcë, por s’patëm vullnet politik, është e pamundur që kjo të implementohet. Politika duhet të ndërhyjë edhe në Kodin Zgjedhor për të përcaktuar disa elementë se si duhet të votojnë këta qytetarë. Edhe vet vendimi i Gjykatës Kushtetuese i la detyrë Kuvendit të plotësojë kuadrin ligjor për votën e emigrantëve. Këto ndryshime kërkojnë një shumicë të cilësuar dhe janë pjesë e komisionit të reformës zgjedhore dhe shpresojmë që sa më shpejt të ketë rezultat, që ne si KQZ të implementojmë këto ndryshime. Mundësitë që brenda 2024 të ketë një marrëveshje teorikisht ka. Nga informacionet që kam palët janë larg arritjes së një pike të përbashkët se si do jetë modeli i votimit. Ka disa modele të ndryshme. Në kushtet kur po zbatojmë këtë teknologji informacioni nga brenda Shqipërisë, edhe vota elektronike jashtë Shqipërisë është shumë e mirë për t’u realizuar. Por nuk përjashtoj votimin përmes shërbimit postar. Italia e realizoi shtatorin e shkuar, e implementoi Spanja. Të dy variantet janë të mira. Nëse do t’i besojmë teknologjisë vota elektronike do jetë më e shpejtë dhe më e mirë për Shqipërinë. Ekziston edhe një model i tretë që të votohet në konsullata dhe ambasada. Përplasja qëndron që pala që është në opozitë nuk i beson institucionet shtetërore kur vjen puna te vota. Në vlerësimin tim mënyra më e mirë është teknologjia, të votohet elektronikisht. Do përjashtohen institucionet shtetërore dhe çdo lloj anatemimi të teknologjisë. Por prapë edhe nga zgjedhjet e fundit, duke parë që tre bashkitë po anatemohen, sinqerisht personalisht shoh që do ketë përplasje sa i përket votës së emigrantit”. Dritan Çaka deklaroi nëse Fredi Beleri nuk betohet në këshillin bashkiak në Himarë pritet tëketë zgjedhje të reja. “Sot është caktuar data për konstituimit të këshillit bashkiak të Himarës. Duhet që kandidati që ka dalë fitues, z.Beleri të bëjë betimin. Në kushtet që e ka të pamundur të bëjë betimin, nëse nuk shkon, ligji për qeverisjen vendore e ka përcaktuar që betimi është element substancial për marrjen e mandatin. Nëse Beleri nuk shkon të bëjë betimin, dhe gjasat janë që kështu të ndodhë pasi nuk e lejon GJKKO, mund të ndodhemi në kushtet që me tejkalimin e disa afateve të shkohet sërish në zgjedhje në bashkinë e Himarës. Do pritet një afat kohor, dhe në momentin që do bëhet një njoftim nga këshilli bashkiak që kandidati fitues s’ka bërë betimin, do fillojë procesi nga e para, do bëhet shpallja e zgjedhjeve të reja nga Presidenti. Është më ndryshe Kukësi sepse z.Gjici e ka bërë betimin. Rogozhina do të konsiderohet vazhdimi i zgjedhjeve të majit. Zgjedhjet në bashkinë e Kukësit mund të jenë në gusht, ndërsa në Rrogozhinë mund të jenë më parë, ndoshta në muajin korrik”.



