
Banorët e Unazës së Re në Tiranë, kanë mbajtur sonte protestën e radhës, nën vëzhgimin e rreptë të forcave të policisë. Forca të shumta vëzhguan në distancë protestuesit, të cilët përgjatë gjithë kohës i bënin thirrje policisë të largohej si dhe hodhën parrulla ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Disa prej protestuesve u shoqëruan nga policia, ndërsa në një deklaratë pas protestës, Partia Demokratike u shpreh se Policia e Shtetit po ushtron terror ndaj banorëve të Unazës së Re me urdhër të kryeministrit Rama.
“E njëjta Polici që nuk lufton krimin dhe drogën, ka mobilizuar me qindra forca me dhe pa uniformë për të arrestuar, në mënyrë të paligjshme, dhjetëra banorë të Unazës së Re, që mbrojnë shtëpitë e tyre nga shkatërrimi”, thuhet në deklaratën e PD-së.



