Kuvendi ka mbyllur ditën e sotme punimet për këtë sesion parlamentar, për tu rikthyer më 18 janar.
Në votimet e fundit për këtë vit, Kuvendi me 100 vota zgjodhi Evgjeni Basharin si kryetare të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave.
Kujtojmë që në garë për këtë detyrë ishin dy kandidate, Evgjeni Bashari dhe Helena Papa.
Bashari do të jetë në krye të institucionit që do të skanojë dhe do të hetojnë pasuritë e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë për 7 vitet e ardhshme.
Në seancën e sotme të fundit parlamentare për kët vit, u miratuan të gjitha projektligjet e rendit të ditës. Me 99 vota pro kaloi dhe akti normativ, që parashikon një pension suplementar për familjen e Klodian Rashës, që u vra para pak më shumë se një jave nga një efektiv i Policisë, ky i fundit tashmë përballë drejtësisë.
U miratua me 91 vota pro dhe ligji për Prokurorimin Publik. Ndërkohë me 95 vota pro u miratua dhe ligji për “Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”, me 93 vota pro u miratua dhe ligji për “Tatimin mbi të ardhurat”. Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan më tej me 91 vota pro.



