
Pas artistëve Policia e Tiranës ka proceduar penalisht për protestën e djeshme edhe Kryetarin e PD Lulzim Basha, kryetaren e LSI Monika Kryemadhi.
Bashkë me to po procedohen në gjendje të lirë edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe sekretari për çështjet ligjore Çlirim Gjata.
"Procedimi ndaj tyre nisi pasi, më datë 18 maj 2020, rreth orës 16:30, kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetetente, duke prishur rendin dhe qetësinë publike, aq më tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet", thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Mësohet se kanë nisur procedimet penale edhe për artistët Robert Budina, Neritan Liçaj, Adriana Kalaja, Artan Manushaqa, Arkimed Lushaj (Stresi) e disa pjesëmarrës të tjerë në protestë.
Sipas policisë, personat e proceduar kanë marrë pjesë në protestën e paligjshme duke kundërshtuar efektivët e policisë dhe duke penguar qarkullimin e makinave në rrugë.
Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi më herët janë gjobitur për thyerje të rregullave kundër përhapjes së koronavirusit



