
Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë javë kabinetin e ri qeveritar, të quajtur "Rama 4", me një kombinim të emrave të rinj surprizë dhe rikthimeve të pritshme.
Megjithatë, për analistin Denis Dyrnjaja, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, kjo qeveri nuk ka gjasa të zgjasë një mandat të plotë katërvjeçar.
Ai e cilësoi mënyrën e ndërtimit të kabinetit si një shfaqje personale të Ramës, duke e krahasuar atë me një prestidigjitator që “i nxjerr ministrat nga mënga”.
Për mua kjo qeveri nuk ka jetëgjatësi katërvjeçare. Besoj se brenda vitit do të ketë ndryshime të forta, sepse u duk qartë që edhe vetë Rama e la të nënkuptohej. Ai tha se ‘ministrat nuk janë në pushime të gjata, por në pushime si të basketbollit’, që do të thotë se rotacionet e brendshme janë të pashmangshme.
Mënyra e prezantimit të kabinetit ishte një shfaqje e centralizuar, ku asnjë figurë tjetër politike nuk kishte hapësirë reale për vendimmarrje.
Në sallë kishte një lloj shtangie kolektive, një atmosferë ku të gjithë ishin në një gjendje sugjestioni të plotë para një njeriu që bën magji politike. Rama i shpalli emrat, largimet dhe afrimet si një iluzionist, që i surprizon të gjithë. Kjo nuk është më një qeveri e ndërtuar mbi konsultim, por një shfaqje personale e një lideri që kontrollon gjithçka.
Rama është aq i pasigurt në thelb dhe ka aq shumë frikë nga çfarë mund të ndodhë nëse ndan pushtetin, sa që e përqendron gjithçka tek vetja. Prandaj nuk mendoj se kjo do të jetë një qeveri e qëndrueshme.



