Eurodeputeti Fredi Beleri foli për herë të parë për mediat pas daljes nga qelia. Beleri tha se zgjedhjet e 4 gushtit në Himarë janë të paligjshme, ku sipas tij Rama implikoi gjithë shtetin dhe mafiet për të fituar “në një fshat”. Beleri theksoi se do ta vijojë betejën ligjore, dhe se çështja e tij do të mbyllet në Strasburg.
Sakaq Beleri u shpreh i gatshëm për të komunikuar me Tavon për të mirën e Himarës, por tha se ai nuk e ka legjitimitetin për të qenë kryetar i kësaj bashkie.
“Siç e dini më mirë se unë, në Shqipëri s’ka zgjedhje. Pushteti ka vendosur që në këtë shtet të mos bëhen zgjedhje. Zgjedhjet u bënë në 14 maj, dola fitues, këto zgjedhjet që u bënë në gusht ishin të paligjshme. I paligjshëm ishte shkarkimi im, dekreti i Presidentit. Vendimi i kryeministrit implikoi të gjithë shtetin dhe mafien, për të fituar një palë zgjedhje në një fshat.
Jam pjesë e grupimit më të madh të partive popullore europiane, në kuadër të dy grupimeve dhe mundësitë që kam, do ngre zërin për padrejtësitë. Edhe sot vendimi ishte politik, siç politike janë të gjitha vendimet. Do ta vazhdoj betejën ligjore në Strasburg. Kjo çështje do mbyllet në Strasburg. Do qëndroj në Athinë. Sigurisht që do komunikoj edhe me Vangjel Tavon dhe këdo që do punojë për të mirën e Himarës. Nuk besoj se nga mënyra si u përzgjodh, dhe s’i u bën zgjedhjet ka legjitimitetin te qytetares së Himarës. Tavo mund të jetë kryetar bashkie i Tërbaçit, por jo himariotëve”.



