
Një shpërthim i fuqishëm i lëndës plasëse tritol ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në lokalin e artistit muzikor të njohur shqiptar Rigels Rajku, i njohur në art si Noizy.
Sipas raportimeve të para, lënda plasëse ishte e vendosur në lokalin e rap artistit në Durrës dhe shpërthimi ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit.
Fatmirësisht, nuk ka pasur persona brenda ambienteve dhe të vetmet dëme të raportuara janë ato të xhamave në dy kate të ndërtesës.
Sipas korrespondentes së MCN në Durrës, ambienti është i marrë me qira nga babai i Noizyt dhe lënda plasëse që është vendosur ka shkaktuar dëme në xhamat e ndërtesës dy katëshe.
Lënda plasëse është vendosur në katin e parë, por dëmet materiale janë në të dy katet e ndërtesës, në të parin që funksionon si dyqan veshjesh dhe të dytin si lokal
Durrës/Informacion paraprak
Më datë 08.06.2022, rreth orës 04:24, në lagjen Nr.13, në një ambient (butik rrobash) të marrë me qira nga shtetasi B.R., ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive.
Si pasojë ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin e kapjen e autorit/ve.



