“Është e para herë që pas një agresioni ushtarak, qytetarët e Rusisë, reagojnë në protesta kaq të mëdha, kundër luftës”.
Kështu thotë diplomati Lisien Bashkurti, për “Arnautistan”, ku vlerëson marrëdhëniet ruso-ukrainase si shumë të afërta, nga pikëpamja gjuhësore, historike dhe kulturore.
“Edhe në kohën e Bashkimit Sovjetik, Ukraina, ka pasur përfaqësi shumë të lartë, në nivelet shumë të larta, një prej tyre ka qenë Nikita Hrushov, i cili ishte ukrainas. Në përgjithësi janë marrëdhënie shumë të afërta, pavarësisht disa njollave të errëta të historisë, kur një pjesë e ukrainasve bashkëpunuan me Hitlerin dhe për këtë arsye u ndëshkuan ashpër nga Stalini. Marrëdhëniet njerëzore kanë qenë historikisht të mira dhe kjo përbën një lloj çudie dhe habie njerëzore tek rusët. Është pritur një veprim më i shpejtë dhe dinamik nga NATO. Putin veproi shumë herët. Kriza ka nisur në vitin 2008, me pushtimin e dy republikave të Gjeorgjisë, që bllokoi çdo hap të saj drejt NATO-s. Më tej aneksimi i Krimesë dhe pushtimi i zonës së Donetskut. Në këtë vakum të gjatë kohor, kur NATO ka vepruar ngadalë, pothuaj është shuar vokacioni i NATO-s drejt Ukrainës, këto kanë qenë tërheqje të mëdha të SHBA”, tha Bashkurti.
Lidhur me qëndrimin që do të mbajë Aleksandër Vuçiç, ai përmendi qëndrimin e Ivica Daçiç pro Rusisë, ndërsa për Presidentin serb, tha se ka ndjekur politikë bivektoriale.
“E mira e krizës është që do i ndajë gjërat. Por për mua është shumë e vështirë që Serbia të heqë dorë nga mbështetja e Rusisë. Besoj se Vuçiç do të ketë qëndrim bivalent”, tha Bashkurti.



