Kosova ashtu si Shqipëria ishte një nga vendet që hapi dyert për të pritur afganët të cilët u larguan nga vendi i tyre pasi pushtetin e morën në dorë talebanët.
Por ditën e sotme, 117 afganë të cilët ishin strehuar përkohësisht në Kosovë, janë larguar në drejtim të Britanisë së Madhe. Operacioni i zhvendosjes së afganëve është kryer nga forcat britanike, nën komandën e NATO-s.
Zëvendësambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jacob Webber ishte i pranishëm ditën e sotme në aeroportin e ‘Adem Jasharit’, ku falënderoi Kosovën për bujarinë e treguar lidhur me strehimin e afganëve.
“Forcat britanike, që janë nën komandën e NATO-s, kanë ardhur në Kosovë dhe janë në krye të operacionit për të mbështetur strehimin dhe rivendosjen e tyre”, thuhet në një deklaratë të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës, ku ka falënderuar Kosovën për “bujarinë” e treguar lidhur me strehimin shtetasve afganë.
Jacob Webber tha se është i gëzuar që ky operacion u krye me sukses, ndërsa u shpreh se janë rreth 700 afganë të tjerë që janë në Kosovë.
Ditët në vijim pritet që të ndërmerren operacione të tjera për zhvendosjen e afganëve. Pas largimit të 117 afganëve, në Kosovë aktualisht strehohen 891 afganë.



