
Qindra qytetarë u mblodhën të enjten në mbrëmje për të protestuar kundër qeverisë përpara ndërtesës së Presidencës Serbe në Beograd, e cila u thirr nga organizata “Rezistencë qytetare” një ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme në Serbi.
Madje, disa dhjetëra njerëz depërtuan nëpër gardhin mbrojtës para Presidencës dhe u gjenden në hyrje të ndërtesës.
Ndërkohë sot lideri i lëvizjes opozitare ‘Dveri’, Boshko Obradoviç i shoqëruar nga disa deputetë dhe përkrahës sot bllokoi hyrjen e Parlamentit të Serbisë dhe për një moment sulmuan deputetë nga shumica në pushtet të cilët po tentonin të futeshin në Parlament.
Para se të niste tollovia, Obradoviç kërcënoi ministrin e Shëndetësisë së Serbisë, Zoran Lonçar, se “do të shkojë në burg”.
Kamerat kanë kapur deputetin Marian Ristiçeviç, se si futej brenda objektit të Kuvendit me mëngë të shqyera pas përleshjes.
Për incidentin ka reaguar sigurimi i Kuvendit, ndërkohë lideri i “Dveri”, Obradoviç, ka mohuar se ka pasur përleshje.
Obradoviç tha se situata eskaloi kur ai dhe protestuesit tjerë bllokuan hyrjen e deputetit Ristiçeviq, e ai më pas, sipas tij, i fyu.
“Të gjithë e dimë çfarë figure është Ristiçeviç dhe cila është shou-politika e tij. E dimë që Aleksandar Vuçiç i ka mbledhur njerëzit më të këqij rreth tij”, ka thënë Obradoviq.
Protestat në Serbi rifilluan pasi sipas “Dverit” është ndryshuar Ligji për zgjedhjet në mënyrë jokushtetuese.
Duke komentuar protestën para ndërtesës së Presidencës në Beograd, presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se ai ishte “mirëpret demonstratat dhe protestat” sepse, siç deklaroi ai, “shoh atë që ne nuk kemi bërë mirë dhe mund t’i rregullojmë ato në periudhën e ardhshme”.
Serbia ka caktuar mbajtjen e zgjedhjeve nacionale për datën 21 qershor. Deri para shpërthimit të pandemisë, në Serbi çdo të shtunë mbaheshin protesta kundër partisë në pushtet, asaj SNS të Aleksander Vuçiç.



