
Festa e Sulltan Novruzit simbolizon ardhjen e pranverës dhe rigjallërimin e natyrës dhe shpirtit. Këtë ditë, besimtarët bektashinj e presin me organizime të shumta. Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, me këtë rast, si për çdo vit hapi dyert për të pritur në një aktivitet të madh festiv qindra besimtarë.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Edmond Brahimaj, në këtë ditë festive kishte zgjedhur një apel për politikën por dhe të rinjtë, duke shprehur solidaritetin me familjarët e 50 myslimanëve të vrarë në xhamitë në Zelandën e Re: "22 marsi na nxit për më shumë dashuri dhe vëllazëri. Të gjithë bektashinjtë këto ditë janë lutur për shpirtrat e 50 besimtarëve myslimanë që u vranë në xhami në Zelandën e Re. Të dënojmë me forcë çdo akt dhune ekstreme dhe i bëjmë thirrje politikës shqiptare ti përmbahemi sa më shumë shembujve të urtësisë dhe mirësisë. I lutem që kjo klasë të punojë për të çuar kombin drejt një të ardhme sa më të mirë dhe jo të mbajë në vend numëro këto realitete të trishtuara. Të rinjtë shqiptarë të mos braktisin Shqipërinë por të marrin në dorë fatin e tyre dhe të kombit, sepse vetëm ata mund të bëjnë diçka të tillë".
Rëndom si në çdo festë fetare, ku në vendet e shenjta festat i bëjnë bashkë politikanët, nuk munguan edhe mesazhet për një Shqipëri më të mirë, paqe dhe dashuri mes njerëzve.
Presidenti Ilir Meta ka uruar festën e Sulltan Novruzit i shoqëruar dhe nga vajza e tij.'"Në këtë ditë feste dhe optimizmi pranveror, që simbolizon lindjen e shpresës, rigjallërimin e natyrës dhe përkon me lindjen e Imam Aliut, dua t’i uroj mbarë popullit shqiptar dhe në veçanti besimtarëve bektashianë kudo ndodhen: Gëzuar Festën e Sulltan Novruzit! Shëndet dhe mbarësi paçi gjithmonë në familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe kombin shqiptar!", thotë në urimin e tij, presidenti Ilir Meta.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka uruar këtë festë për besimtarët bektashianë duke prezantuar edhe hapjen e amfiteatrit në Parkun e Tiranës, kurse kryeparlamentari Ruçi në urimin e tij është shprehur: "Sulltan Novruzi, rigjallërim i natyrës, gëzim në jetët njerëzore. Bektashizmi është legacia jonë e tolerancës. Mirëkuptimi fetar, eliksiri drejt tolerancës politike. Një urim të veҫantë për shqiptarët në Miҫigan e Diasporë", uron Ruçi.
Festa e Sulltan Novruzit përkon me lindjen e Imam Aliut. Ndezja e qirinjve, falja në tyrbe, janë dy ritet më të veçanta për besimtarët. Veçantia në festat e bektashinjve qëndron edhe në gatimet, një traditë e ruajtur prej brezash.



