
Shqipëria feston sot 109 vjetorin e shpalljes së pavarësisë. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.
Kryeministri Edi Ram mëngjesin e kësaj të diele e ka nisur me një urim special për Pavarësinë.
Rama përmes disa fotove të postuara në Facebook, uron Ditën e Flamurit me një tjetër ngjarje të rëndësishme për qytetin e historisë Vlorën, atë të nisjes së punimeve për aeroportin e ri në qytetin bregdetar.
Kreu i qeverisë krahas fotove shkruan “Mirëmëngjes, Gëzuar 28 Nëntorin”.

Ndërkohë edhe Presidenti Ilir Meta ka uruar 28 nëntorin, festën e Pavarësisë së Shqipërisë me një foto të veçantë.
Ai ka publikuar një foto me nipin e Presidentit të ndjerë të Kosovës Ibrahim Rugova, teksa të dy bëjnë me duar simbolin e shqiponjës.
“Të dashur miq, Së bashku me Lekën, nipin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, ju urojmë të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen: Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë, Ditën e Flamurit tonë Kombëtar!”
28 nëntori për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen njihet si Dita e Flamurit. Ndërkohë një vit më parë për shkak të pandemisë dhe masave kufizuese në vendin tonë qenë të ndaluara festimet me grumbullime të shumta, ndërsa këtë vit ministria e brendshme vetëm dy ditë para festimeve ka bërë me dije se shqiptarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë pa asnjë pengesë.



